Edi Rama ka komentuar gjatë një videomesazhi në rrjete sociale edhe protestat e zhvilluara në Tiranë të cilat i ka sulmuar vazhdimisht.
Ai i vijoi sulmet teksa tha se një tufa sorrash dhe laraskash e akuzojnë që po sulmon popullin, se po shan rininë që është zgjuar dhe se po akuzon emigrantët.
Sipas Ramës, një pjesë e protestuesve dhe e aktivizmit në rrjetet sociale po përpiqen të imponojnë vullnetin e tyre përmes presionit.
Ndërkohë, i trembur nga reagimi i shqiptarëve, Rama ka kufizuar komentet në videon e tij pasi e di shumë mirë se kritikat dhe pakënaqësitë ndaj tij dhe qeverisë së tij do vijojnë si lum.

“Protestat janë një burim energjie për demokracinë dhe respektin për institucionin e protestës, unë personalisht dhe kjo shumicë qeverisëse e kemi dëshmuar që në ditën e parë dhe e dëshmojmë gjithmonë. Por nuk ka asnjë shans që ne t’i nënshtrohemi dhunës, kërcënimeve, shantazheve apo koreve linçuese që të kujtojnë ato sheshet e mesjetës, me turmën që i gëzohej spektaklit të linçimit dhe vdekjes.
Po ashtu nuk ka asnjë mundësi që unë të pajtohem me idenë që në Shqipërinë e vitit 2026, qytetarët duhet të heshtin, artistët duhet të tërhiqen, sipërmarrjet duhet t’i paguajnë haraç një turme dhunuesish online, të cilët me verbërinë e tyre dhe me mbështetjen e shumë profileve false të kujtojnë gardat e kuqe, gardistët e revolucionit kulturor në Kinë.
Edhe një gjë me rëndësi në mbyllje. Angazhohen tufa sorrash dhe laraskash për të më akuzuar mua që po sulmoj popullin që paska dalë në shesh. Se po shaj rininë që qenka zgjuar. Se po akuzoj emigrantët që po kërkoj llogari dhe me radhë e me radhë. Por jo. Absolutisht jo. Unë e kam bërë që në krye të herës dhe çdo herë që kam folur dallimin e ditës së flamingos me natën e korbit dhe të sorrës.
Kurrë nuk i kam paragjykuar ata qytetarë që dolën në protestë paqësisht, me bindjen se duan një Shqipëri më të mirë. Të gjithë ata të rinj e të reja që dolën në protestë me bindjen se duan një mjedis më të mbrojtur. Ata familjarë që dolën në protestë për një shëndetësi më cilësore. Ata prindër që dolën në protestë për një arsim më të mirë. Ata burra e gra që dolën në protestë se duan një administratë më njerëzore. Dhe kurrë nuk mund t’i paragjykoj njerëzit në përgjithësi se duan një shtet më të drejtë në tërësinë e vet, sepse edhe unë dua pikërisht të njëjtat gjëra.
Kur një vend përparon, pritshmëritë e njerëzve rriten më shpejt se vetë ritmi i përparimit. Rrugët më të mira i bëjnë gropat e mbetura më të padurueshme. Lufta frontale me korrupsionin që nuk ka ndodhur kurrë më parë, e bën korrupsionin ende më të padurueshëm. Shërbimet më të shpejta, si asnjëherë më parë, 95% online, e bëjnë çdo shërbim të prapambetur ende më të patolerueshëm. Kjo nuk është shenjë dështimi, është shenja më e qartë, më e sigurt që shoqëria kërkon gjithnjë e më shumë.
Detyra jonë nuk është që t’i ulim pritshmëritë e qytetarëve, por të ngushtojmë hendekun mes asaj që kemi arritur dhe asaj që ata me të drejtë presin nga ne. Po dëgjojmë me vëmendje çdo kërkesë. Një grup i mbledhur enkas që qysh në ditët e para po mbledh çdo shqetësim dhe po përpiqemi të ndërtojmë një reflektim mbi gabimet, të metat dhe boshllëqet tona dhe hap pas hapi do t’i komunikojmë ato me njerëzit e ndershëm të këtij vendi që kërkojnë që rrugëtimi ynë drejt Shqipërisë në shtëpinë evropiane të jetë më i shpejt”, tha Rama.














