Një operacion i Policisë së Vlorës ka çuar në goditjen e një rasti të dyshuar të shpërndarjes së lëndëve narkotike në zonat turistike të qytetit.
Në kuadër të operacionit, kanë rënë në pranga 5 persona, mes tyre edhe dy shtetas italianë.
Të arrestuarit janë shtetasit N.K., 20 vjeç, R.H., 20 vjeç dhe M.M., 23 vjeç, banues në Lezhë, si dhe shtetasit italianë C.L., 42 vjeç, banues në Romë dhe C.S., 37 vjeç, banues në Palermo.
Gjatë kontrolleve të kryera ndaj personave, automjetit që ata përdornin dhe banesës ku qëndronin në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë, policia ka gjetur dhe sekuestruar rreth 700 doza me lëndë narkotike të llojeve të ndryshme.
Sipas policisë, lëndët narkotike dyshohet se ishin përgatitur për shitje në plazhe dhe lokale gjatë sezonit turistik. Në mesin e substancave të sekuestruara janë identifikuar “Tusi”, “Ketaminë”, “MDMA”, “Kokainë”, “Ekstazi” dhe “Kanabis”.
Gjithashtu, gjatë operacionit janë sekuestruar një shumë parash që dyshohet se është përfituar nga aktiviteti kriminal, si dhe 8 aparate celularë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se personat e arrestuar ushtronin aktivitetin e shpërndarjes së lëndëve narkotike në ambiente turistike të Vlorës, kryesisht në plazhe dhe lokale.














