Kryeministri Edi Rama ka mbështetur veprimet e Policisë së Shtetit lidhur me hetimin e vlerësimeve negative të publikuara në platformat online për biznese shqiptare, duke argumentuar se institucionet po përballen me një fushatë të organizuar që synon të dëmtojë sektorin e turizmit.
Në reagimin e tij, kreu i qeverisë pretendon se pas valës së vlerësimeve me një yll ndaj hoteleve, restoranteve dhe bujtinave fshihet një aksion i koordinuar nga persona të lidhur me “protestën e flamingove”, të cilët, sipas tij, kanë krijuar mijëra llogari të reja në Google vetëm për të ulur artificialisht vlerësimin e bizneseve.
Rama bëri të ditur se autoritetet shqiptare kanë kontaktuar edhe kompaninë Google, e cila, sipas tij, është angazhuar për të ndihmuar në rikthimin e vlerësimeve të humbura.
Ai e cilësoi këtë si një sulm të paprecedentë ndaj sipërmarrjes shqiptare dhe tha se Policia po punon për zbardhjen e skemës.
Reagimi i Ramës:
Jehona e një TURPI ALLA SHQIPTARÇE arriti deri në majën e piramidës së Google, ku autoritetet tona kërkuan ndihmë për të nxjerrë një sërë sipërmarrjesh nga BLOZA E TERRORIT DIGJITAL të ushtruar prej pengmarrësve të protestës së flamingove, të cilët përmes 10 mijë llogarive të hapura enkas organizuan dhe orkestruan një SULM TË PADËGJUAR KRIMINAL mbi hotele, bujtina, restorante, duke u hequr me DHUNË yjet e mbledhura nga përshtypjet pozitive të klientëve
Pra, logjika e hurit dhe drurit që i ka dhënë protestës ngjyrën e sorrave e zërin e korbave: Nuk duam investorë të huaj, nuk duam biznese vendase, duam litar, burg, zjarr – tip naziskinësh me qeleshe e komunistash me flamur në qafë, laro e balo të duartrokitur me pasion nga dështakëzemërakë të rënë nga vakti, plot urrejtje, ligësi e mediokritet të pangushëllueshëm
Policia vijon me hetimin e skemës kriminale, ndërkohë që me ndihmën e Google-it faqet e sipërmarrjeve po u rikthehen yjet e merituara me punë e mund të madh














