Në fjalën e tij në ditën e 41-të të protestës, një prej qytetarëve akuzoi qeverinë Rama për braktisjen e qytetarëve, korrupsionin dhe përdorimin e pushtetit në dëm të interesit publik.
Nga sheshi i protestës, ai ngriti akuza për gjendjen e fermerëve, shtresave në nevojë dhe largimin masiv të shqiptarëve drejt Europës, duke deklaruar se qeveria nuk ka reflektuar ndaj problemeve reale të vendit.
Duke iu drejtuar mijëra qytetarëve të mbledhur në protestë, ai kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar ndryshimin politik si të vetmen rrugë për daljen nga ajo që e quajti një krizë të thellë qeverisjeje.
Kryeministri, me qëndrimet e tij kriminale kundër popullit shqiptar, nuk turpërohet nëse këta njerëz me nevoja të veçanta kanë mungesa elementare për të jetuar. Nuk turpërohet që qeveria e tij vjedh subvencionet qind për qind dhe se bujqit janë në një vështirësi të madhe për të përballuar shpenzimet, pa folur më për fitimet.
Kryeministri kriminal i Shqipërisë nuk turpërohet që erdhi në pushtet me premtimin se do të vinte në funksion uzinën e Ballshit, por e shkatërroi atë dhe e shiti për hekur. Nuk turpërohet absolutisht. Ai turpërohet vetëm nëse nuk organizohet një koncert dhe harxhohen 4 milionë euro.
Pra, kryeministri kriminal i Shqipërisë nuk turpërohet që populli i tij detyrohet të marrë rrugën drejt Evropës për një jetë më të mirë, duke lënë pas prindërit e moshuar, të pambrojtur, pa shërbime dhe pa përkujdesje.
Jo, absolutisht nuk turpërohet, sepse ndjenja sociale në shpirtin e tij është e vrarë që në fëmijërinë e tij, pasi ndryshe nuk mund t’i japim një kuptim kësaj situate. – tha ai.














