Një nga aktivistët e protestës ka deklaruar se rezistenca e nisur prej 41 ditësh ka sjellë sipas tij një nga lëvizjet më të mëdha qytetare që ka parë Shqipëria.
“E kemi fituar se kemi prodhuar protestat më të mëdha që ky vend ka parë. Nëse dikush mendon se ka një protestë me numra më të mëdhenj se kjo, le të na e tregojë”, u shpreh aktivisti.
Ai e cilësoi përballjen si një “luftë qëndrueshmërie”, duke pretenduar se vijimi i protestave po e dobëson çdo ditë qeverinë.
“Rezistenca jonë këtu për 41 ditë këta po i gërryen dita-ditës. Janë në proces gërryerjeje çdo ditë. Mjafton të shikoni postimet e tyre në rrjete sociale, janë postime që shprehin panik dhe qëndrimin me shpatulla pas murit”, deklaroi ai.
Aktivisti akuzoi qeverinë se po sulmon protestuesit me etiketime, duke iu referuar edhe deklaratave për ndikime të huaja.
“Këta që premtojnë Europën, vetëm Europën që nuk po e sjellin. Këta na akuzojnë si agjentë të Iranit, ndërsa vetë po sillen si Irani”, tha ai.
Më tej, ai kritikoi edhe reagimet e mazhorancës ndaj protestave, duke përmendur krijimin e asaj që e quajti “polici virtuale morali”.
“A mundet një qeveri e inkriminuar të na bëjë moral? Ky kryeministër e nis ditën duke postuar fletë rrugë digjitale. Duhet ta shporrim këtë mendësi komuniste që na udhëheq prej më shumë se 36 vitesh”, përfundoi aktivisti.














