Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet për vrasjen e 40-vjeçarit Ilir Lika, i njohur edhe me mbiemrat Gjini, Kokaj dhe Nure, i cili u ekzekutua mbrëmjen e së enjtes në Kurbin.
Sipas raportimeve, policia ka identifikuar një person, si autor të dyshuar për ngjarjen. Bëhet fjalë për shtetasin Emiljan Suti, i cili po kërkohet nga policia në kuadër të hetimeve.
Sipas të njëjtave burime, dyshohet se vrasja mund të ketë lidhje me konflikte të vjetra të viktimës jashtë vendit, megjithatë motivi mbetet ende nën hetim.
Nga informacionet paraprake rezulton se autori ose autorët i kishin zënë pritë 40-vjeçarit. Lika u qëllua me armë zjarri sapo zbriti nga automjeti i tij për t’u futur në banesë. Edhe pse tentoi të largohej, ai u ndoq dhe u qëllua sërish.
Burimet hetimore bëjnë me dije se viktima është goditur me shtatë plumba. Ai u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve.














