Një histori e jashtëzakonshme mbijetese po emocionon Venezuelën dhe opinionin publik në mbarë botën. Fabiana, një vajzë 12-vjeçare nga qyteti bregdetar Caraballeda, u nxor e gjallë pasi kaloi plot 32 orë e bllokuar nën rrënojat e pallatit ku jetonte, i cili u shemb gjatë tërmetit me magnitudë 7.5 që goditi vendin më 24 qershor.
Në çastin kur toka nisi të lëkundej, nëna e saj, Karina Blanco, ndodhej në palestër duke zhvilluar një seancë spinningu. Ajo u nis menjëherë drejt banesës, por skena që e priste i rrëzoi çdo shpresë.
“Kur mbërrita, nuk e besoja atë që shihja. Aty ku ishte pallati ynë kishte mbetur vetëm një boshllëk. Mendova se vajza ime nuk jetonte më”, kujton ajo.
Fabiana kishte mbetur vetëm në apartament. Në përpjekje për t’u mbrojtur, ajo u drejtua drejt kuzhinës, por struktura e ndërtesës u shemb brenda pak sekondash, duke e zënë poshtë betonit.
“Ishte sikur gjithçka po shembej mbi mua. Kur muret u çanë, mendova se fundi kishte ardhur. Besova se askush nuk do të mund të më gjente”, rrëfen vajza.
Edhe pse vuan nga ankthi dhe klaustrofobia, 12-vjeçarja arriti të ruante gjakftohtësinë. E shtrirë nën një hapësirë shumë të ngushtë, me tavanin vetëm pak centimetra larg fytyrës, ajo priti me shpresë që dikush ta dëgjonte.
Pas disa orësh, një infermiere e bllokuar në të njëjtën ndërtesë dëgjoi zërin e saj. Para se të shpëtohej rreth gjashtë orë më vonë, ajo u tha ekipeve të kërkim-shpëtimit se nën rrënoja ndodhej ende gjallë një vajzë me emrin Fabiana.
Ky informacion ndryshoi gjithçka për nënën e saj.

“Në një moment dikush më tha: ‘Vajza jote është gjallë’. Ishte lajmi më i bukur që kam marrë ndonjëherë”, tregon Karina.
Ndërsa priste ndihmën, Fabiana gjeti telefonin celular. Megjithëse nuk kishte sinjal për të telefonuar, ajo regjistroi një video ku kërkonte ndihmë dhe tregonte se nën rrënoja ndodheshin edhe banorë të tjerë.
Me shumë përpjekje, ajo arriti të lëvizte disa copa betoni për të liruar këmbën që i ishte bllokuar. Gjatë kësaj përpjekjeje gjeti rastësisht një shishe ketchup dhe pak djathë të grirë, të cilat i konsumoi për të mbajtur veten me energji.
“Këto ishin ato që më ndihmuan të mos humbisja ndjenjat”, shprehet ajo.
Shpresa mori formë kur një vullnetar, Viktor, dëgjoi zërin e vajzës teksa kërkonte të mbijetuar mes rrënojave. Ai njoftoi menjëherë familjarët dhe ekipet e shpëtimit. Pas disa tentativash të dështuara, zjarrfikës nga Karakasi arritën të krijonin një tunel deri në vendin ku ndodhej Fabiana.
Pas 32 orësh pritjeje, vajza u nxor e gjallë dhe u përqafua me nënën e saj në një moment prekës që u shpërnda me shpejtësi në rrjetet sociale.
“Kur dola jashtë dhe pashë se gjithçka ishte shkatërruar, nuk më dukej reale. Ishte sikur po shikoja një film”, thotë ajo.
Nga rreth 50 banorët që jetonin në pallatin ku banonte familja e saj, vetëm tre persona arritën të mbijetojnë.
Ndërkohë, pasojat e tërmetit vazhdojnë të jenë tragjike. Autoritetet venezueliane kanë konfirmuar deri tani 3.342 viktima, ndërsa dhjetëra mijëra persona rezultojnë ende të zhdukur.
Fabiana ka shpëtuar me një frakturë në këmbën e majtë dhe disa dëmtime të lehta. Ajo po qëndron në banesën e gjyshes, ndërsa familja përpiqet të rindërtojë jetën pas tragjedisë.
“Plagët emocionale do të kërkojnë kohë për t’u shëruar. Kemi humbur fqinjë dhe miq, por për mua mrekullia më e madhe është që vajza ime është ende pranë meje”, përfundon Karina.














