Shqipëria ka rritur tregtinë dhe ka investuar në infrastrukturë rrugore, por performanca logjistike e vendit është përkeqësuar krahasuar me disa vite më parë. Në këtë përfundim arrin raporti “South East Europe 2030 Strategy – State of Play in 2025”, i cili krahason ekonomitë e Evropës Juglindore.
Sipas raportit, Shqipëria shënoi 2.7 pikë në Indeksin Ndërkombëtar të Performancës Logjistike në vitin 2018, por ra në 2.5 pikë në vitin 2023. Ndryshe nga Shqipëria, mesatarja e rajonit u përmirësua nga 2.94 në 2018 në 3.15 në 2023.
Ky tregues është i rëndësishëm sepse lidhet me mënyrën si lëvizin mallrat, sa shpejt funksionojnë zinxhirët e furnizimit, sa efikas është transporti dhe sa e lehtë është për bizneset të eksportojnë apo importojnë. Për një ekonomi të vogël dhe të hapur si Shqipëria, logjistika është pjesë direkte e konkurrueshmërisë.
Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria mbetet pas. Maqedonia e Veriut u përmirësua nga 2.7 në 3.1 pikë, Bosnjë-Hercegovina nga 2.8 në 3.0, Mali i Zi nga 2.7 në 2.8, ndërsa Greqia u rrit nga 3.2 në 3.7 pikë. Edhe Turqia, Kroacia, Bullgaria dhe Rumania kanë rezultate më të larta se Shqipëria në vitin 2023.
Rënia e Shqipërisë është veçanërisht problematike, sepse vjen në një kohë kur tregtia e mallrave është rritur. Sipas të dhënave të raportit, tregtia totale e mallrave për Shqipërinë u rrit nga 8.6 miliardë dollarë në vitin 2019 në 13.6 miliardë dollarë në vitin 2024. Edhe tregtia brenda rajonit u rrit nga 2.15 miliardë dollarë në 3.67 miliardë dollarë.
Kjo do të thotë se Shqipëria po tregton më shumë, por ende ka dobësi në kushtet që e bëjnë tregtinë më të shpejtë, më të lirë dhe më të parashikueshme. Për bizneset, logjistika e dobët mund të përkthehet në vonesa, kosto më të larta transporti, vështirësi në eksport dhe më pak konkurrueshmëri ndaj vendeve të tjera.
Raporti vëren se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë përpjekje të mëdha për investime në rrugë. Shqipëria, e paraqitur në raport si Tirana, ka investime rrugore në nivelin 1.08% të PBB-së, mbi mesataren e BE-së prej 0.6%. Pra, problemi nuk lidhet vetëm me mungesën e investimeve, por edhe me cilësinë, mirëmbajtjen, lidhjen mes korridoreve dhe funksionimin e gjithë sistemit të transportit.
Raporti thekson se rreziku kryesor për rajonin nuk është vetëm ndërtimi i korridoreve të reja, por mirëmbajtja e aseteve ekzistuese. Pa mirëmbajtje dhe menaxhim të mirë, investimet në rrugë nuk përkthehen automatikisht në logjistikë më efikase.
Shqipëria ka nevojë për rrugë më të mira, por edhe për procedura më të shpejta, lidhje më të mira me portet, magazinim më efikas, transport më të organizuar dhe më shumë parashikueshmëri për bizneset që eksportojnë./ekofin.al














