Kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar se “sot është një ditë e mirë për Gjermaninë”, gjatë prezantimit të vendimeve të qeverisë për një paketë të gjerë reformash që përfshijnë sistemin e pensioneve, taksat, administratën dhe tregun e punës.
Merz tha se qëllimi kryesor i masave është kthimi i ekonomisë gjermane në një rrugë rritjeje, duke ruajtur njëkohësisht shtetin e mirëqenies. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mbështesin reformat, duke theksuar se efektet e tyre nuk mund të vlerësohen menjëherë, por pritet të ndikojnë në rritjen ekonomike në afatmesëm dhe afatgjatë.
Sipas propozimeve të paraqitura, ndryshimet në sistemin tatimor parashikojnë rritje të taksave për të ardhurat e larta, me normë 45% për të ardhura mbi 250,000 euro dhe 47% për mbi 280,000 euro. Ndërkohë, të ardhurat e ulëta dhe të mesme deri në 60,000 euro në vit do të përfitojnë lehtësime fiskale deri në 600 euro në vit duke nisur nga viti 2028.
Paketa përfshin gjithashtu masa për uljen e burokracisë, thjeshtimin e deklaratave tatimore, forcimin e kontrollit ndaj mashtrimeve me ndihmën sociale dhe ndryshime në tregun e punës, përfshirë rregulla më të rrepta për raportimin e sëmundjeve.













