Një grup studentësh, të cilët para pak ditësh shpalosën banderolën në Universitetin Politeknik deklaruan se nuk do të dialogojnë me kryeministrin Edi Rama dhe se zgjidhja është largimi i tij.
Ata thanë se të martën vendosën stikera në makinat e deputetëve për të imituar gjobat që u vendosën ndaj shqiptarëve të diasporës, të cilët erdhën në vendin tonë për protestën kombëtare.
Njëra nga studentet deklaroi se Shqipërinë e re e mendon pa korrupsion, me lirinë e fjalës dhe shanse të barabarta.
“Stikerat janë organizuar nga një grup i vogël studentësh, nuk jemi financuar nga asnjë organizatë. I vendosëm te makinat për emigrantët që u gjobitën ndërkohë deputetët parkojnë në rrugë dhe nkuk gjobiten”, tha i riu.
“Jemi një grup studentësh që nuk kemi kërkesa të veçuara, s’ka dialog si në 2018. Kjo zgjidhet vetëm me largimin e kryeministrit Edi Rama”, deklaroi njëri prej studentëve.
“Shqipëria e re është një Shqipëri pa korrupsion, ku je i lirë të flasësh, të jesh i lirë të ndërmarrësh rreziqe, të gjithë njerëzit të jenë të barabartë, gjyqësori të jetë me ne”, përkufizoi studentja.














