Banka Botërore ka “hequr dorë” nga një objektiv kyç, atë për financimin e klimës, pas presionit të madh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Institucioni bankar njoftoi mbrëmjen e së hënës, 29 qershor, se do të zgjasë planin e saj të veprimit për ndryshimet klimatike, por do të heqë objektivin që 45% e financimeve të saj të shkonin për projektet me “përfitime klimatike”.
Një vendim i tilllë erdhi pas disa muaj negociatash.
Vendet evropiane aksionere, së bashku me shumë vende në zhvillim, kanë kërkuar ruajtjen e objektivit dhe të planit të veprimit për klimën, ndërsa SHBA-të, që kanë të drejtën efektive të vetos dhe votën më të madhe kontrolluese në Bankën Botërore, kanë shtyrë për heqjen e tyre.
Në një memo të brendshme për stafin, presidenti i Bankës Botërore, Ajay Banga, u shpreh se puna e institucionit për klimën “është dhe do të mbetet e udhëhequr nga klientët, duke i mbështetur ata në realizimin e ambicieve të tyre”.
Por një zyrtar i afërt me negociatat tha për Financial Times se “pamja politike është shumë e keqe”, duke shtuar se vendet u detyruan “të gjejnë një mënyrë për të akomoduar ‘shkencën e çuditshme’ të Shteteve të Bashkuara”.
Ky vendim vjen vetëm disa muaj pasi presidenti amerikan Donald Trump, i cili e ka quajtur ndryshimin klimatik një mashtrim, e tërhoqi vendin nga Konventa Kuadër e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, traktati më i rëndësishëm global për klimën.
Sekretari amerikan i Thesarit Scott Bessent tha në prill se objektivi për financimin klimatik “krijon joefikasitet, shtrembëron vendimmarrjen ekonomike dhe e largon bankën nga misioni i saj kryesor”.
Banka e kishte përmbushur tashmë objektivin, duke financuar 39.2 miliardë dollarë, 48% e financimeve për projekte me përfitime klimatike vitin e kaluar.
Danny Scull, këshilltar i lartë për politika në think-tankun mjedisor E3G në SHBA-të, tha se vendet donatore dhe ato përfituese kishin punuar së bashku për të përafruar Bankën Botërore me Marrëveshjen e Parisit dhe për të raportuar financimet klimatike.
“Kjo është e lehtë të kalohet pa vëmendje, por është shumë e rëndësishme”, tha ai.
Financimet nga bankat shumëpalëshe të zhvillimit përbëjnë një pjesë kyçe të një objektivi më të gjerë të rënë dakord nga mbi 190 vende në negociatat e OKB-së për klimën. Vendet e zhvilluara janë zotuar të japin të paktën 300 miliardë dollarë deri në vitin 2035 për vendet në zhvillim për tranzicionin dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.
Bankat shumëpalëshe të zhvillimit janë zotuar gjithashtu të ofrojnë të paktën 120 miliardë dollarë financim klimatik në vit për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme deri në vitin 2030.
Simon Stiell, kreu i organit klimatik të OKB-së, tha se roli i Bankës Botërore dhe bankave të tjera ishte “qendror” në financimin klimatik, veçanërisht pasi financimi publik është “i kufizuar”.
Duke folur në Konferencën e Qëndrueshmërisë në Hamburg, Paschal Donohoe nga Banka Botërore tha se institucioni po punonte intensivisht për të integruar punën klimatike në të gjitha projektet e zhvillimit.
Ai shtoi se banka do të fokusohet më shumë në matjen e rezultateve, jo vetëm të shpenzimeve.
Heqja e objektivit shënon një ndryshim të shpejtë për Bankën Botërore, ish-presidenti i së cilës David Malpass dha dorëheqjen pas kritikave për qasjen ndaj klimës.
Sipas burimeve pranë negociatave për Financial Times, vendet huamarrëse kërkojnë ende financim klimatik, pasi zhvillimi lidhet ngushtë me ndryshimin e sistemeve energjetike dhe sfidat e ngrohjes globale. Pavarësisht heqjes së objektivit, disa zyrtarë argumentojnë se plani klimatik ekziston ende dhe banka tashmë e ka tejkaluar objektivin, ndaj financimet e gjelbra mund të vazhdojnë.
Por ekziston rreziku që vendet donatore të kalojnë te institucione të tjera financiare shumëpalëshe për të përmbushur objektivat e tyre klimatike.














