Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, të 12 korrikut të vitit 2023 për Mexhit Picari i akuzuar për vrasjen e dhëndrit të tij Kudret Saliaj.
Picari u dënua me burgim të përjetshëm ndërsa vajza e tij Dhurata Saliaj u dënua me 4 vite e 6 muaj heqje lirie.
Gjykata e Lartë ka vendosur që çështja të rigjykohet nga një tjetër trupë gjykuese në Apel, pas rekursit të paraqitur nga avokati Adriatik Cama, i cili mbeti i plagosur gjatë ngjarjes së ndodhur pranë Gjykatës Civile në Tiranë.
Në rekursin e tij, Cama kërkonte që edhe Dhurata Saliaj, vajza e Mexhit Picarit dhe ish-bashkëshortja e viktimës, të shpallej fajtore për bashkëpunim në vrasje.
Më herët, Gjykata e Apelit kishte lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Mexhit Picarin, ndërsa Dhurata Saliaj ishte dënuar me 4 vjet e 6 muaj burg për veprën penale të krijimit të kushteve për kryerjen e vrasjes, duke rrëzuar akuzën për bashkëpunim në vrasje.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 4 qershor 2021, në një lokal pranë Gjykatës Civile në Tiranë.
Sipas dosjes hetimore, Mexhit Picari ekzekutoi Kudret Saliajn vetëm pak minuta përpara nisjes së seancës së pestë gjyqësore për divorcin mes këtij të fundit dhe Dhurata Saliajt. Gjatë të shtënave u plagos edhe avokati Adriatik Cama, i cili ndodhej në të njëjtën tavolinë me viktimën.
Sipas hetimeve, në themel të konfliktit mes palëve ishte mosmarrëveshja për kujdestarinë e tre fëmijëve të çiftit.














