Një agjenci punësimi, e denoncuar disa vite më parë në emisionin Fiks Fare për raste të dyshuara mashtrimi me kontrata pune jashtë vendit, është rikthyer në aktivitet me një emër të ri tregtar.
Bëhet fjalë për Alfa Recruitment, e cila sipas denoncimit të trajtuar nga emisioni, premton kontrata pune në Angli, merr pagesat nga qytetarët, por që procedurat e premtuara nuk kryhen.
Denoncuesja Desara Zogu tregon se ka paguar 1.400 euro për një vizë pune në Angli, pasi agjencia i kishte garantuar se do të nisej në gusht të vitit 2025. Ajo thotë se dorëzoi të gjithë dokumentacionin e kërkuar, madje la edhe vendin e punës në Shqipëri duke u bazuar te premtimet e agjencisë.
Sipas saj, më vonë mësoi se aplikimi për takimin në ambasadë nuk ishte kryer, ndonëse agjencia pretendonte të kundërtën. Prej muajsh ajo kërkonte kthimin e shumës së paguar.
Në komunikimet me e-mail, të siguruara nga Fiks Fare, vetë agjencia pranon se do t’i kthente paratë, por kjo nuk ndodhte. Ky nuk është rasti i parë. Rreth pesë vite më parë, Fiks Fare trajtoi tre raste të ngjashme ndaj së njëjtës pronare, Marjana Balliu, kur aktiviteti ushtrohej pranë Zogut të Zi me emrin “Aplikime Punësimi”.
Në atë kohë, Balliu premtoi se do të sillte dokumente në Fiks Fare për të kundërshtuar akuzat, por kjo nuk ndodhi. Në investigimin e ri, një bashkëpunëtore e Fiksit u paraqit si kliente në zyrat aktuale të Alfa Recruitment në zonën e Astirit.
Pronarja nuk ndodhej në zyrë, por komunikoi me telefon. E pyetur për rastin e Desarës, ajo deklaroi se klientja kishte qenë “problematike” dhe se vetë kishte vendosur të ndërpriste procedurën e aplikimit.
Ajo pranoi gjithashtu se pagesa nuk ishte kthyer ende, duke përmendur fillimisht probleme me bankën, ndërsa më pas tha se vonesa lidhej edhe me komentin negativ që klientja kishte publikuar në internet.
Më pas në agjenci u paraqit gazetarja e Fiks Fare. Pronarja e njohu menjëherë në telefon dhe refuzoi të jepte shpjegime për rastin, duke kërkuar që komunikimi të zhvillohej vetëm përmes e-mailit.
Vetëm pak orë pas ndërhyrjes së emisionit, denoncuesja konfirmoi se shuma prej 1.400 eurosh iu kthye nga agjencia. Rasti ngre sërish pikëpyetje mbi mënyrën e funksionimit të disa agjencive të punësimit që premtojnë vende pune jashtë Shqipërisë dhe rëndësinë e verifikimit të kujdesshëm të çdo procedure përpara kryerjes së pagesave./ Top Channel














