Qendra shëndetësore nr. 10 në Tiranë vijon të jetë e rrethuar nga mbeturinat. Në një hapësirë ku duhet të mbizotërojë pastërtia, pirgjet e plehrave dhe inertëve të ndryshëm qëndrojnë prej muajsh pranë kazanëve të tejmbushur.
Kjo gjendje skandaloze është denoncuar publikisht, por Bashkia e Tiranës dhe kompania e pastrimit Eco Tirana vijojnë të mos reagojnë.
Mbetjet urbane dhe inertët janë bërë grumbuj pranë qendrës shëndetësore, duke krijuar një mjedis të rrezikshëm për pacientët dhe banorët e zonës.
Qytetarët shprehen se jetojnë prej kohësh me këtë problem, ndërsa kërkojnë zgjidhje të menjëhershme. “E paguajmë ne bashkinë, shtetin. Edhe jetojmë ne këtu, e para është spitali, skandaloze”, thotë një banor i indinjuar.
Banorët e zonës e përshkruajnë situatën si të padurueshme. “Aq na shqetësojnë sa nuk e ke idenë. Për të qenë është shumë e rëndë”, shprehet një tjetër.
Të tjerë shtojnë se shqetësimi është i përbashkët dhe se policia nuk duhet të merret vetëm me gjobat e makinave, por të sigurojë që kazanët të mos mbushen me plehra.
Ndërkohë, punonjësit e Eco Tirana shihen gjithnjë e më rrallë në terren. Banorët thonë se mbetjet nuk janë hequr prej më shumë se një muaji.
“Masa duhet të merren, është e përhershme njësoj”, shprehet një qytetar. Kjo heshtje e institucioneve tregon mungesën e përgjegjësisë për një problem që prek shëndetin publik. /Tv klan/














