Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me deklaratën e tij të mëparshme që shkaktoi debat të gjerë publik dhe protesta të vazhdueshme para Kryeministrisë, ku qytetarët prej gati një muaji kërkojnë dorëheqjen e tij.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Rama mohoi që shprehja e diskutuar të ishte drejtuar shqiptarëve, duke theksuar se ajo është nxjerrë nga konteksti i një interviste.
Sipas tij, deklarata nuk ishte një ofendim ndaj qytetarëve, por një përgjigje ndaj akuzave që i bëhen prej vitesh, përfshirë edhe etiketimin si “kumbari i qeverisë”.
“Fakti është se unë nuk ua kam thënë shqiptarëve kurrsesi atë fjalë. Duket qartë edhe në artikull. Kur gazetari më pyeti si u përgjigjesh atyre që të akuzojnë se je kumbari i qeverisë, i thashë shkurt atë që meriton kush më baltos pa prova prej vitesh,” u shpreh Rama.
Kryeministri shtoi se deklarata është nxjerrë nga një intervistë e gjatë, duke pretenduar se gazetari i “Financial Times” ka përzgjedhur vetëm një pjesë të bisedës.
“Ka qenë një bisedë rreth një ore dhe është zgjedhur vetëm ajo fjali. Nuk jam pishman,” deklaroi ai.
Që prej nisjes së protestave kundër projektit në Zvërnec, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur t’u përgjigjet protestuesve me tone të ashpra, ironi dhe etiketime, në vend që të zhvillojë një dialog me ta.
Në një intervistë për Financial Times, Rama hodhi poshtë akuzat për korrupsion dhe reagoi me një gjuhë fyese ndaj kritikëve të tij.
“Njerëzit thonë se unë jam drejtuesi i gjithë kësaj. U them ‘fuck you’ (Shkoni q*huni). Kaq e thjeshtë. Nuk më takon mua të provoj se nuk jam ‘Kumbari’, por atyre ta provojnë se jam ‘Kumbari’,” deklaroi ai.

Pak ditë më vonë, kryeministri reagoi edhe ndaj një videoje të publikuar nga Bazeli i Zvicrës, ku pretendohej se po qëndronte jashtë vendit me shpenzime shtetërore. Rama i mohoi kategorikisht akuzat, duke sqaruar se ishte i ftuar privatisht nga panairi prestigjioz Art Basel, ku ishin ekspozuar edhe veprat e tij artistike, dhe se udhëtimi ishte financuar prej tij dhe bashkëshortes.
Në reagimin e tij, Rama përsëriti se gjatë afro 30 viteve në jetën publike nuk ka përfituar asnjëherë fonde publike për udhëtime private dhe u shpreh se askush nuk mund të provojë se ai ka përfituar qoftë edhe “një qindarkë” në mënyrë të paligjshme, duke përdorur shprehjen: s’ka bir nëne a bir k…,
“Por ky është një rast i mirë në kohën e duhur, për të vënë një pikë të qartë mbi “i”: Rreth njëzetë vite më parë, kur nuk më ishte regjur ende lëkura me baltën e shpifjeve e të akuzave pa hesap, pata vënë kujën publikisht duke thënë që “s’ka bir nëne a bir k…, që të gjejë në xhepin tim një qindarkë që s’është fituar me punë të ndershme”!”
Edhe gjatë protestave, kryeministri ka përdorur vazhdimisht etiketime ndaj pjesëmarrësve. Në një prej deklaratave ai i ndau protestuesit në “flamingo” dhe “sorra”, duke ftuar në dialog vetëm ata që, sipas tij, protestojnë sinqerisht për mjedisin, ndërsa kritikoi organizatorët që i cilësoi “delirantë” dhe “sharlatanë”.
“Ca delirantë e sharlatanë që medemek shkojnë për të mbrojtur mjedisin e flasin për të huaj që duhet t’i përzëmë nga Shqipëria… Pikërisht në këto momente, kur kombi shqiptar është përballë realizimit të një momenti historik, këto janë axhenda dhe lëvizje e marrëzi që shkojnë në drejtim të gabuar,” u shpreh Rama.














