Një grabitje e planifikuar në detaje është regjistruar në një vilë në pronësi të familjes së tenorit të njohur italian Andrea Bocelli në Forte dei Marmi, në zonën e Lucca-s, Itali.
Ngjarja ka ndodhur gjatë natës, mes të premtes 26 dhe të shtunës 27 qershor, ndërsa vila aktualisht ishte dhënë me qira për një familje amerikane që po kalonte pushimet në Versilia.
Sipas hetimeve të para, hajdutët kanë vepruar mes orës 21:00 dhe mesnatës, në momentin kur familja që qëndronte në vilë kishte dalë për darkë. Pasi kanë hyrë brenda banesës, autorët kanë kontrolluar dhomat dhe kanë marrë një sasi të madhe sendesh me vlerë, përfshirë bizhuteri, orë luksoze, para cash dhe çanta të markave të shtrenjta.
Vlera e saktë e dëmit ende nuk është përcaktuar, por vlerësimet e para flasin për një shumë që mund të arrijë deri në 500 mijë euro.
Po vijon puna për gjetjen e autorëve të grabitjes.
Nga kontrollet në banesë ka rezultuar se dera e vilës nuk ishte mbyllur siç duhet dhe sistemi i alarmit nuk ishte aktivizuar, çka mund t’ua ketë lehtësuar punën grabitësve.
Familja Bocelli zotëron disa prona në zonën e Versilias, disa prej të cilave jepen me qira gjatë sezonit veror për turistë të nivelit të lartë.
Autoritetet po analizojnë pamjet e mundshme të kamerave të sigurisë në zonë dhe çdo provë tjetër që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes.
Kryebashkiaku i Forte dei Marmi-t, Bruno Murzi, ka shprehur keqardhje për ngjarjen dhe ka thënë se bashkia po bën maksimumin për sigurinë, duke përmendur shtimin e patrullimeve, kamerat e shumta të monitorimit dhe kërkesat për më shumë forca policore gjatë sezonit turistik. Ai gjithashtu u ka bërë thirrje qytetarëve dhe pronarëve të banesave që të përdorin sistemet e sigurisë dhe alarmet kundër vjedhjeve.














