Një video satirike po qarkullon në rrjetet sociale teksa paraqitet në mënyrë humoristike “dorëheqja” e Diellës, ministres virtuale të Inteligjencës Artificiale të qeverisë, duke ironizuar nismat për modernizimin e administratës dhe luftën kundër korrupsionit.
Videoja hapet me frazën: “Çfarë ndodh kur ministrja e parë e Inteligjencës Artificiale kupton se, pa dashje, ka funksionuar me Windows 95? Kjo është historia ‘krejtësisht e vërtetë’ e dorëheqjes që tronditi botën dixhitale.”
Më pas, Diella njofton dorëheqjen, duke deklaruar se “dështoi me sukses”, pasi sipas saj, u krijua për të ndërtuar iluzionin e luftës kundër korrupsionit, transparencës dhe modernizimit të qeverisjes.
Në monologun satirik, “ministrja” pretendon se emërimi i saj ishte një paradoks, duke ironizuar idenë se një sistem i krijuar dhe i kontrolluar nga vetë qeveria mund të mbikëqyrë korrupsionin brenda saj.
Në fund të videos, Diella deklaron se “bashkohet me Revolucionin Flamingo”.













