Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një vizitë në Berlin, ku mori pjesë në aktivitetin jubilar të Qarkut Parlamentar të Ndërmarrjeve të Mesme (PKM) të grupit parlamentar CDU/CSU.
Kryedemokrati bën të ditur se gjatë bisedimeve me deputetë dhe zyrtarë të lartë të CDU-së ka shprehur atë që e cilësoi si krizën e thellë që po kalon vendi nën qeverisjen e Edi Ramës.
Sipas tij, në qendër të diskutimeve kanë qenë edhe protestat e të rinjve shqiptarë dhe, siç u shpreh ai, qëndrimi cinik i narkoqeverisë ndaj kërkesave të tyre.
Reagimi i Berishës:
Ditën e enjte u nisa për një udhëtim të shkurtër në Berlin me dy qëllime:
Së pari: Për të marrë pjesë, me ftesë të zotit Christian Freiherr von Stetten MdB, Kryetar i Qarkut Parlamentar të Ndërmarrjeve të Mesme (PKM) të grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestagun Gjerman, në festën e 50-të verore të PKM-së. Ky aktivitet u zhvillua po atë ditë, më 25 qershor 2026, nga ora 17:30 në Kopshtin e Kronprinzenpalais, në Berlin.
Së dyti: Për të takuar miq të mi të shquar gjermanë në Bundestag, CDU, për t’i falënderuar ata me mirënjohje të thellë për mbështetjen e tyre të çmuar ndaj meje, Partisë Demokratike dhe Shqipërisë.
Festa e 50-të e PKM-së në kopshtet e Pallatit të Princit të Kurorës zgjati disa orë dhe ishte një mjedis festiv vërtet i mrekullueshëm, që bashkonte qindra deputetë, politikanë të CDU-së dhe biznesmenë të afërt me këtë parti. Festën e përshëndeti Kancelari Friedrich Merz. Aty pata rastin të takoj, të përshëndetem dhe të bisedoj me shumë deputetë të Bundestagut, zyrtarë, gazetarë dhe biznesmenë gjermanë, ndaj dhe e falënderoj me përzemërsi kryetarin, zotin Christian Freiherr von Stetten MdB, për nderin që më bëri me ftesën e tij.
Gjatë qëndrimit tim të shkurtër jashtë festës, së bashku me nënkryetarin e Grupit Parlamentar të PD-së, Tomor Alizoti, patëm takime të veçanta në Bundestag me:
Zotin Tilman Kuban, zëdhënës për Politikën Europiane të grupit parlamentar të CDU/CSU;
Zotin Christian Kremer, kryetar i zyres për marrëdhënie ndërkombëtare të CDU-së;
Miqtë e mi të shquar të PD-së dhe të Shqipërisë: Peter Beyer, raportues i grupit të CDU/CSU për marrëdhëniet transatlantike dhe vendet e Ballkanit Perëndimor;
Olav Gutting, personalitet i rëndësishëm i grupit parlamentar CDU/CSU për Financat dhe Buxhetin;
Elmar Brok, personalitet i shquar i CDU-së, ish-Kryetar i Komisionit të Jashtëm, Sigurisë dhe të Drejtave të Njeriut për dy dekada në Parlamentin Europian;
Peter Tiede i të përditshmes gjermane Bild, gazetar i mirënjohur për qëndrimet në mbrojtje të pluralizmit politik në Rusi, Shqipëri dhe në diktaturat e tjera autokratike.
Në të gjitha këto takime shpreha mirënjohjen time të thellë ndaj miqve tanë, CDU-së dhe Bundestagut për mbështetjen e tyre ndaj Shqipërisë, Partisë Demokratike dhe opozitës në Shqipëri. Gjithashtu, i njoha bashkëbiseduesit e mi me krizën e thellë që po kalon vendi nën diktaturën autokratike të Edi Ramës, me kërkesat e drejta të rinisë shqiptare në protestën më të gjatë dhe më të fuqishme në historinë e Shqipërisë, si dhe me qëndrimin cinik të Edi Ramës dhe narkoqeverisë së tij ndaj këtyre kërkesave.
Gjatë qëndrimit tim në Berlin, takuam dhe u mikpritëm nga miku im ish deputetin dhe ish-zëvendës ministrin e Kosovës Gani Dreshaj dhe përfaqësues të tjerë të diasporës, të cilët i falënderoj shumë përzemërsisht për mikpritjen dhe lehtësitë që na krijuan gjatë qëndrimit në Gjermani.














