Një delegacion i eurodeputetëve të grupit të Të Gjelbërve/EFA në Parlamentin Europian do të zhvillojë një vizitë në Shqipëri nga 29 qershori deri më 1 korrik, në fokus të së cilës do të jetë situata në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë dhe protestat e qytetarëve kundër qeverisë Rama.
Vizita vjen menjëherë pasi Parlamenti Europian miratoi raportin e tij për Shqipërinë, ku përveç progresit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, u theksua edhe nevoja për forcimin e mbrojtjes së mjedisit, transparencës, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.
Eurodeputetja holandeze Tineke Strik, raportuese për raportin e Shqipërisë, deklaroi se procesi i integrimit europian duhet të ecë paralelisht me respektimin e standardeve mjedisore dhe mbrojtjen e zonave të ndjeshme natyrore.
Sipas saj, në raport është përfshirë një thirrje e drejtpërdrejtë ndaj autoriteteve shqiptare për të ndaluar menjëherë ndërhyrjet e reja në zonat e mbrojtura derisa legjislacioni shqiptar të harmonizohet plotësisht me standardet europiane të mjedisit.
Strik iu referua gjithashtu protestave të zhvilluara kundër projekteve që prekin zonën e Vjosë-Nartës, duke theksuar se qytetarët shqiptarë po japin një mesazh të qartë në mbrojtje të natyrës dhe të ardhmes europiane të vendit.
“E ardhmja e Shqipërisë do të vendoset nga qytetarët e saj dhe jo nga interesat e miliarderëve amerikanë të afërt me Donald Trump”, deklaroi eurodeputetja, duke shtuar se zhvillimi ekonomik nuk duhet të vijë në kurriz të biodiversitetit dhe komuniteteve lokale.
Sipas raportimeve të huaja, delegacioni i Të Gjelbërve/EFA do të drejtohet nga Tineke Strik dhe do të përfshijë eurodeputetët Cristina Guarda, Vicent Marzà i Ibáñez, Daniel Freund, Jutta Paulus dhe Anna Strolenberg. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, ata pritet të zhvillojnë takime me përfaqësues të qeverisë, aktivistë të mjedisit dhe banorë të zonave të prekura nga projektet që kanë shkaktuar debat dhe protesta në vend.














