Juli ka kaluar vite të tëra duke ngritur me djersë pastiçerinë e tij familjare në Shkodër. Por kur e pyet se çfarë pret nga anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, në sytë e tij lexohet paqartësi.
“Kemi dëgjuar shumë. Fëmijët që jetojnë në Padova më thonë se gjithçka do të jetë më mirë dhe më e rregullt, por unë kam hall se nuk do t’ia dal me këto rregulla të reja”, thotë ai.
Ankthi i Julit është pasqyra e një realiteti më kompleks: integrimi europian në Shqipëri prej vitesh ka mbetur një monolog politik në kryeqytet, pa mbërritur ende te bizneset dhe qytetarët në terren. Ndërsa zyrtarët brohorasin për shifra rekord të turizmit dhe rritjes ekonomike, qytetarët ankohen për rritjen paralele të çmimeve që ua bën të padukshëm këtë progres.
Pyetja që shtrohet sot është nëse po ndërtojmë një ekonomi të qëndrueshme sipas standardeve të BE-së dhe cili model na pret matanë kufirit: suksesi industrial i Çekisë apo rruga e Bullgarisë.
Paradoksi i rritjes dhe “kambanat” e Brukselit
Përtej entuziazmit zyrtar, Bashkimi Europian kërkon reforma të thella që prekin rrënjët e sistemit tonë ekonomik. Në Progres-Raportin e fundit, Komisioni Europian dha një paralajmërim të qartë: “Një ekonomi e madhe informale pengon mjedisin e biznesit dhe konkurrencën.”
Edhe pse të ardhurat fiskale janë rritur dhe sektori i ndërtimit vazhdon të zgjerohet me ritme të shpejta, Brukseli evidenton se kjo rritje nuk po shoqërohet me reforma strukturore të mjaftueshme. Raporti vë gishtin mbi konkurrencën e dobët, ndërmjetësimin e kufizuar financiar dhe reformat e pambaruara.
Ekonomistja Ornela Liperi thotë se integrimi europian në Shqipëri është trajtuar gabimisht si një proces kryesisht politik dhe elektoral, duke lënë në hije përgatitjen e tregut.
“Deri tani procesi i integrimit është parë më shumë në dy këndvështrime. I pari, ai politik, si një mjet që partitë dhe qeveria e përdorin si argument për të fituar besimin e publikut dhe për të marrë vota. Së dyti, nga këndvështrimi i individëve që joshen nga avantazhe të tilla si lëvizja e lirë apo mundësitë për punësim dhe studim”, thotë Liperi.
Sipas saj, aktori kryesor që do të mbajë peshën e këtij procesi, biznesi vendas, ka mbetur jashtë vëmendjes.
“Integrimi në BE nuk nënkupton vetëm hapje kapitujsh dhe përafrim ligjesh. Ai nënkupton transformim të thellë: ekonomi konkurruese, produkte që përmbushin standardet europiane, siguri ushqimore, mbrojtje të mjedisit, transparencë financiare dhe luftë ndaj informalitetit.”
Mes informalitetit dhe oligopolit
Sfidat në terren mbeten kronike. Progres-Raporti nënvizon se punësimi informal u rrit përsëri, sidomos në sektorët kyç si ndërtimi, turizmi, shërbimet dhe fasoneria.
Ekonomisti Zef Preçi argumenton se informaliteti i lartë, i cili vlerësohet të luhatet midis 28% dhe 32% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitet e fundit, së bashku me mungesën e konkurrencës, janë minat më të mëdha në rrugën tonë europiane.
“Informaliteti përfshin aktivitete të padeklaruara, paga në të zezë, xhiro pa faturë dhe punësim pa kontratë. Ai ul bazën tatimore, shtrembëron statistikat dhe e bën të pamundur projektimin e politikave sipas standardeve të BE-së”, thotë Preçi. “Bizneset informale konkurrojnë me kosto artificialisht më të ulëta, duke dëmtuar firmat serioze dhe duke ulur motivimin për investime afatgjata.”
Përveç informalitetit, një tjetër shqetësim lidhet me përqendrimin e tregut, problem i ngritur shpesh në Parlament nga deputetë të të dy krahëve politikë, përfshirë Jorida Tabakun dhe Erion Braçen.
Preçi sjell si shembull tregun e karburanteve, ku indeksi Herfindahl-Hirschman, që mat përqendrimin e tregut, arrin nivele që sinjalizojnë oligopol.
“Në disa tregje kyçe, pak aktorë dominojnë dhe mbajnë çmimet lart. Kur bizneset besojnë se edhe tenderët publikë nuk zhvillohen mbi konkurrencë të vërtetë, kompanitë serioze tërhiqen. Krijohet një rreth vicioz ku pak kompani të lidhura me pushtetin përforcojnë pozitën e tyre dominuese”, shpjegon ai.
Modeli: ndërtimit & turizëmi?
Shtyllat që mbajnë në këmbë ekonominë aktuale — ndërtimi, turizmi dhe remitancat — po shihen me skepticizëm nga ekspertët për sa i përket qëndrueshmërisë afatgjatë.
“Modeli aktual është relativisht i qëndrueshëm në afatshkurtër dhe buron nga faktorë konjukturorë, por mbetet i brishtë dhe jo konvergjent me standardet e BE-së në afatgjatë”, argumenton Preçi.
Ai shton se ndërtimi është sektori më ciklik dhe më i ekspozuar ndaj luhatjeve.
“Shtimi i ndërtimeve pa rritje të produktivitetit krijon rrezik flluske në çmimet e pronave dhe kanalizon burimet financiare larg prodhimit dhe inovacionit.”
Në të njëjtën kohë, turizmi mbetet i ekspozuar ndaj krizave të jashtme, ndërsa emigracioni masiv që gjeneron remitancat po e zbraz paralelisht vendin nga kapitali njerëzor dhe forca punëtore e kualifikuar.
Mësimi nga Praga dhe Sofja
Për të kuptuar se ku mund të shkojë Shqipëria, mjafton të shohim historinë e dy vendeve të ish-bllokut komunist që u anëtarësuan në BE.
Çekia vend anëtar (2004); mbi 50 miliardë euro në Infrastrukturë, kërkim shkencor, inovacion, dixhitalizim.
PBB për frymë mbi 90% të mesatares së BE-së; papunësia ndër më të ulëtat në Europë; ekonomi e integruar plotësisht.
Në anën tjetër qëndron Bullgaria anëtarësuar (2007)
Rreth 20-25 miliardë euro investime në infrastrukturë dhe mbështetje e madhe për bujqësinë Por sot Bullgaria ende mbetet vendi më i varfër në BE; probleme kronike me korrupsionin; fonde të pezulluara shpesh nga KE; humbje masive e popullsisë nga emigrimi. |
Ky krahasim dëshmon se fondet europiane nuk janë automatikisht garanci zhvillimi. Ndryshimin e bën serioziteti i institucioneve dhe aftësia e biznesit vendas për të përballur konkurrencën e tregut të përbashkët.
“Ju nuk e dini çfarë luleshtrydhesh konsumoni”
Sipas Ornela Liperit, Shqipëria është tashmë vonë në përgatitjen e ekonomisë reale. Ajo kujton bisedat me zyrtarë europianë që ngrenë alarmin për mungesën e standardeve elementare, siç është gjurmueshmëria e produkteve ushqimore.
“Ju nuk e dini se çfarë luleshtrydhesh konsumoni”, ka qenë komenti i prerë i një zyrtari të lartë të Komisionit Europian.
“Nëse duam të jemi pjesë e Europës, është e papranueshme të mos kemi laboratorë funksionalë dhe garanci për origjinën dhe sigurinë e produkteve. Shumë biznese shqiptare kanë frikë se nuk do të kenë kapacitete financiare për të përmbushur këto standarde dhe rrezikojnë falimentimin”, thotë Liperi, duke shtuar se qeveria duhet ta kthejë urgjentisht vëmendjen nga terreni për ta bërë tranzicionin sa më pak të dhimbshëm.
Në fund të ditës, miliardat e fondeve europiane nuk janë magji; ato janë thjesht një mjet. Çekia tregoi se me institucione të forta dhe vizion, BE-ja mund të shërbejë si katalizator i zhvillimit ekonomik. Bullgaria dëshmoi se, pa luftuar korrupsionin dhe informalitetin, paratë e Brukselit mund të përmirësojnë infrastrukturën, por jo domosdoshmërisht të transformojnë ekonominë.
Shqipëria nuk mund ta shohë integrimin thjesht si një trofe politik apo si një mundësi për emigrim. Nëse institucionet nuk fillojnë që sot të përgatisin biznesin vendas për standardet dhe konkurrencën e tregut europian, hyrja në BE mund të rezultojë më sfiduese sesa pritet.
Në të kundërt, kur Shqipëria të hyjë zyrtarisht në Bashkimin Europian, pastiçeri Juli në Shkodër dhe mijëra sipërmarrës si ai mund të mos gjejnë tregun e madh europian që presin, por vështirësinë për të mbijetuar në të. /ACQJ














