Deputetja Marjana Koçeku, e cila së fundmi u largua nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, la të kuptohet publikisht se është kërcënuar nga fisi Bajri.
Duke komentuar situatën, drejtuesi i programit “Brain Gain” në Partinë Demokratike, Ted Kopliku, deklaroi se në zonat e Shkodrës ku ai zhvillonte fushatë elektorale, Koçeku gëzonte mbështetje dhe mbrojtje nga grupe kriminale.
I ftuar në emisionin “Off the Record” në A2CNN, Kopliku tha se një qeveri teknike do të garantonte largimin e ndikimit të grupeve kriminale nga proceset zgjedhore.
“Qeveria teknike duhet të mundësojë që të hiqen duart edhe të atyre që sot kërcënojnë zonjën Koçeku, qoftë edhe për tre ditë. Unë kam 13 vite që protestoj. Në ato zona ku unë kërkoja votën, zonja Koçeku ishte e mbrojtur nga ato banda. Unë nuk mund të futesha në ato zona. Kandidatët e Partisë Socialiste dilnin me 80 për qind të votave”, u shpreh Kopliku.
Ai shtoi se Koçeku duhet të japë shpjegime për arsyet e largimit nga Partia Socialiste.
“Me gjithë respektin për burrërinë e malësores, që unë ia njoh, ajo duhet të shpjegojë fillimisht pse u largua nga Partia Socialiste. Kur nisi ky ndryshim?”, deklaroi Kopliku.









