Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, dhe deputetja e Partia Socialiste e Shqipërisë, Briseida Çakërri, u përfshinë në një debat në emisionin “Off the Record” në A2 CNN, ku në qendër të diskutimit ishte procesi i integrimit europian dhe funksionimi i partive politike.
Gjatë debatit, Alimehmeti u shpreh se sipas tij, Partia Socialiste nuk e mbështet realisht integrimin në Bashkimin Europian, duke e konsideruar atë në kundërshtim me interesat e saj politike.
Ai theksoi se shumica e qytetarëve shqiptarë e mbështesin procesin e integrimit, por sipas tij, pengesat vijnë nga mënyra e funksionimit të pushtetit dhe lidhja e tij me institucionet.
Nga ana tjetër, Çakërri e kundërshtoi këtë qëndrim, duke e cilësuar si të pavërtetë dhe duke theksuar se qeveria ka bërë hapa konkretë në procesin e integrimit.
Ajo kritikoi gjithashtu opozitën për mënyrën e organizimit të garës së brendshme, duke e vënë në pikëpyetje konsistencën e saj politike.
Debati u ashpërsua kur Çakërri ngriti çështjen e mungesës së garës së brendshme në Partinë Demokratike, ndërsa Alimehmeti iu përgjigj se vendi ka nevojë për ndarje të qartë mes partisë dhe shtetit, si dhe për reforma të kërkuara nga Bashkimi Europian.
DEBATI:
Çakërri: Si flisni ju për garë kur ju u hoqët dosjen atyre që do konkurronin me kryetarin?!
Alimehmeti: Detyrimi për të shkëputur partinë nga shteti ju ka ardhur ju nga Komisioni Europian. S’më ka ardhur mua. Keni detyrën të ndani partinë nga shteti. Meqenëse doni të shkoni në BE që e kërkojnë 92 për qind e qytetarëve. Këto janë punët që duhen bërë. Ju mendoni se ai grushti i njerëzve që komandon Shqipërinë e do këtë?!
Çakërri: Po thoni për grushtin në protestat tuaja?!
Alimehmeti: Nuk e duan këta BE-në, shitet si fasadë dhe disa edhe e besojnë. S’e duan sepse është kundër interesave të veta. Ne na ka rënë rinia, 33 mijë vetë më pak sipas INSTAT-it, të moshës nga 0-35 vjeç.
Çakërri: Ju nuk bëni garë brenda partie suaj.
Alimehmeti: Për garën brenda partisë kam folur, s’e keni ndjekur.
Çakërri: Pse qëndroni te kjo parti kur s’jeni dakord?!














