Bashkia e Himarës ka regjistruar gjatë vitit 2025 rritjen më spektakolare të të ardhurave vendore në të gjithë vendin, duke u kthyer në kampionen absolute të fiskalitetit vendor, por jo si rezultat i zgjerimit të bazës së taksapaguesve apo rritjes së aktivitetit ekonomik tradicional. Shifrat tregojnë se motori kryesor i kësaj rritjeje ka qenë vala e lejeve të ndërtimit përgjatë vijës bregdetare, nga Palasa dhe Dhërmiu, deri në Borsh e Lukovë.
Sipas Raportit Vjetor të Financave Publike Vendore për vitin 2025, Himara ka arritur të ardhura vendore prej rreth 212 mijë lekësh për banor, niveli më i lartë në Shqipëri dhe disa herë më i lartë se çdo bashki tjetër. Vetëm brenda një viti, të ardhurat për banor janë rritur me 169,075 lekë, duke e vendosur Himarën shumë përpara Kamzës dhe Kavajës, që renditen në vendet pasuese.
Në themel të kësaj rritjeje qëndron taksa e ndikimit në infrastrukturë, e cila paguhet nga zhvilluesit për lejet e ndërtimit. Të ardhurat nga kjo taksë në Himarë u rritën nga 290.6 milionë lekë në vitin 2024 në 1.83 miliardë lekë në vitin 2025, ose 532% më shumë brenda një viti.
Kjo do të thotë se gjatë vitit 2025 është dhënë një volum i jashtëzakonshëm lejesh ndërtimi, kryesisht për komplekse turistike, rezidenca, vila dhe struktura akomoduese në një nga zonat më të kërkuara të rivierës shqiptare. Rritja e të ardhurave fiskale përkon me intensifikimin e zhvillimeve urbane në të gjithë territorin e bashkisë, nga Palasa dhe Dhërmiu, që prej vitesh po përjetojnë një transformim të shpejtë ndërtimor, deri në Jalë, Vuno, Himarë, Qeparo, Borsh dhe Lukovë.
Edhe treguesit e tjerë fiskalë konfirmojnë të njëjtin fenomen. Taksat e tjera vendore në Himarë u rritën me 489%, ndërsa të ardhurat jotatimore me 528%, ritme që lidhen drejtpërdrejt me zgjerimin e aktivitetit ndërtimor dhe zhvillimin e pronave turistike.
Raporti nxjerr në pah se Himara ka siguruar e vetme 6.54% të të gjitha të ardhurave vendore të mbledhura nga 61 bashkitë e vendit, pavarësisht se ka një nga popullsitë më të vogla në Shqipëri. Në terma absolutë, bashkia ka mbledhur më shumë të ardhura se shumë qytete të mëdha me popullsi disa herë më të lartë.
Të dhënat sugjerojnë se modeli fiskal i Himarës po mbështetet gjithnjë e më shumë te ndërtimi dhe urbanizimi i vijës bregdetare. Nëse deri pak vite më parë ekonomia lokale mbështetej kryesisht te turizmi sezonal dhe shërbimet, tashmë një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të bashkisë po gjenerohet nga lejet e ndërtimit dhe taksat që lidhen me zhvillimin e pronave. /ekofin.al















