Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me përplasjen fizike të ndodhur gjatë një seancës gjyqësore në GJKKO, mes të pandehurve për vrasjen e Renis Dobrës.
Sipas burimeve, konflikti ka nisur pasi kishte filluar seanca, kur vëllezërit Bushgjokaj dyshohet se kanë sulmuar fizikisht Petrit Hoxhën, i njohur edhe me mbiemrin Çakri. Dyshimet paraprake janë se ata e akuzonin këtë të fundit se i kishte spiunuar dhe kishte bërë deklarime të rreme në dëm të tyre.
Mësohet se gjatë incidentit, Petrit Çakri është goditur me grushte dhe është përplasur pas murit, ndërsa ndërhyrja e forcave të sigurisë ka qenë e menjëhershme për të neutralizuar situatën.
Si pasojë e përplasjes fizike, raportohet se janë lënduar edhe tre efektivë të togës së shoqërimit të të burgosurve, të cilët ndërhynë për të ndalur konfliktin mes të pandehurve.
Ngjarja ka krijuar tension në sallën e gjyqit, e cila për disa momente është kthyer në një skenë kaosi, ndërsa autoritetet pritet të dokumentojnë incidentin dhe të marrin masat përkatëse ndaj personave të përfshirë.














