Në konferencën e përbashkët me homologun serb Marko Gjuriç, Giorgos Gerapetritis konfirmoi se qëndrimi i Athinës për statusin e Kosovës mbetet i pandryshuar dhe ritheksoi mbështetjen e Greqisë për dialogun Beograd–Prishtinë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian si rrugën për normalizimin e marrëdhënieve.
Shefi i diplomacisë greke theksoi gjithashtu mbështetjen e fuqishme të Greqisë për integrimin evropian të Serbisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar zgjerimin e BE-së si një investim strategjik për paqen dhe stabilitetin në rajon. Ai vlerësoi progresin e reformave në Serbi dhe nënvizoi nevojën për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, energjetik dhe infrastrukturor midis dy vendeve.
Gerapetritis përmendi projekte konkrete bashkëpunimi, si korridori hekurudhor Selanik–Shkup–Beograd dhe interkonektorët e gazit, si elemente kyçe për lidhjen dhe zhvillimin ekonomik të rajonit. Vizita përfshiu edhe takimin me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, i cili në një reagim publik falënderoi Greqinë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj rrugës evropiane të Serbisë.
Vuçiç vuri në dukje qëndrimin parimor dhe të qëndrueshëm të Greqisë për respektimin e së drejtës ndërkombëtare, integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë, duke shprehur mirënjohje për mirëkuptimin e pozicioneve të vendit të tij në çështjet shtetërore dhe kombëtare. Sipas presidentit serb, takimi konfirmoi raportet tradicionalisht të ngushta mes Beogradit dhe Athinës dhe vullnetin e të dy palëve për të thelluar partneritetin strategjik në fushat e energjisë, infrastrukturës, tregtisë dhe investimeve, në një periudhë sfidash gjeopolitike për Ballkanin.














