Kryeministri Edi Rama ka folur sot nga “Sheshi Italia”, ku po zhvillohen aktivitetet për 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, në një moment kur paralelisht në bulevard përpara Kryeministrisë po zhvillohej një protestë me thirrje për largimin e tij.
Mesa duket Rama nuk e ka pritur që qytetarët të dalin sërish në shesh meqënëse u tha ultimatum që mos të dilnin sot pasi donte të festonte.
Në fjalën e tij drejtuar themeluesve, përfaqësuesve dhe anëtarëve të PS-së, Rama u ndal te zhvillimet e ditës, duke e lidhur protestën me pakënaqësitë ndaj një investimi të madh strategjik në vend.
“Puna e solli që pikërisht në muajin e kremtimit të 35-vjetorit të lindjes së PS, një masë e madhe njerëzish të dilnin vrullshëm. Protesta nisi me zemërimin e drejtë për një akt dhune dhe me kërkesën e padrejtë për investimin madhor që do ndikojë ndjeshëm parametrat ekonomikë dhe socialë të Shqipërisë. Ky investim është më shumë se 1/7 e prodhimit të vendit tonë”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se perceptimet e krijuara në rrjetet sociale po ndikojnë në mënyrën se si qytetarët reagojnë ndaj projekteve publike, duke përmendur, sipas tij, “dezinformim” dhe “pamje të shtrembëruara”.
“E vërteta është që edhe unë po të isha qytetar që informohet nga rrjetet sociale, duke dëgjuar dhe parë turlilloj gjysmë të vërtetash, të fryra nga video e foto të ndryshme, pelikanë të ngordhur, flamingo në arrati, grataçela mbi lagunë dhe mbi Sazan, do kisha dalë në bulevard”, tha kryeministri.
Ngjarjet e ditës kanë sjellë një kontrast të fortë mes festimeve të PS-së në “Sheshin Italia” dhe protestës së zhvilluar në qendër të Tiranës, ku qytetarët prej 13 ditësh kërkojnë largimin e qeverisë.














