Kanë kaluar më shumë se 40 minuta nga thirrja e mbledhjes së orës 18:00 në Sheshin Qendror të Tiranës. Mijëra protestues janë grumbulluar përballë Kryeministrisë, ndërsa në rrugë grupe prej dhjetëra personash ecin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’iu bashkuar protestës.
10 Qershori i Verës 2026 do të bënte bashkë mijëra qytetarë në rrugët e Tiranës, në një protestë pa podiume politike, të organizuar nga qytetarë që, siç thonë, “kanë një mijë arsye për të protestuar”, por që në duar nuk mbajnë asnjë flamur partiak, vetëm flamingo dhe postera satirikë.


Në mobilizimin e tyre të njëmbëdhjetë, ata thirrën “Protestën Kombëtare” në një analogji historike me një ngjarje të 148 viteve më parë, 10 Qershorin e vitit 1878, kohë kur katër vilajete shqiptare u mblodhën në “Lidhjen e Prizrenit”.
Lëvizja, e cila nisi pas rrethimit të brigjeve të Zvërnecit me tela metalikë, ia ka dalë të mbledhë në shesh mijëra shqiptarë, që sipas tyre, përtej çmontimit të gardhit në Zvërnec, kërkojnë çmontimin e një sistemi të gjatë tranzicioni dhe të qeverisë që i udhëheq prej më shumë se 13 vitesh.
Megjithatë, gjatë këtyre ditëve, protestuesit janë përballur edhe me kritika. Nga poltronet e emisioneve televizive, përfaqësues të mazhorancës dhe nga vetë Kryeministri Rama, pjesëmarrësit janë etiketuar herë si të manipuluar politikisht, herë si përfaqësues të interesave të huaja greke, serbe apo iraniane.
“Ne jemi shqiptarë dhe kam dalë këtu që asnjë copë e këtij vendi të mos shitet më”, thotë për “shteg.org” një protestues rreth të 25-ave, që në kokë mban një qeleshe të bardhë, ndërsa në duar një pankartë satirike.
Në një protestë pa asnjë incident të regjistruar deri më tani, qytetarët thërrasin për revolucion. Por, ndryshe nga konceptimi i imazhit tradicional të revoltës, ata rreken ta sjellin me art rruge, meme dhe thirrje me rimë.
Me kilometra të tërë marshimi, në itinerare që ndryshojnë çdo mbrëmje, thirrjet për dorëheqje kumbojnë në çdo cep, duke skuqur me flamuj të kuq rrugët e një kryeqyteti që po dëshmon një manifestim që kërkon ndryshimin, por pa humbur karakterin e tij qytetar.
1001 arsyet për të protestuar

Më 30 maj, pas disa protestave të ambientalistëve dhe qytetarëve në zonën e Pishë-Poro-Nartës kundër ndërtimit të një resorti luksoz nga kompania “Albania Land Development”, një video ku një qytetar tërhiqej zvarrë nga roje private bëri xhiron e rrjetit. Pamjet u shpërndanë me shpejtësi, të shoqëruara me reagime të forta dhe pikëpyetje mbi respektimin e të drejtave themelore në një vend demokratik që aspiron integrimin në Bashkimin Europian.
Të nesërmen, revolta shpërtheu në Tiranë, ku mijëra qytetarë kërkuan ndalimin e menjëhershëm të punimeve në zonën e mbrojtur të Pishë-Poro-Nartës.
Pas asaj dite, protesta u kthye në realitetin e çdo mbrëmjeje. Qytetarët nisën të zgjerojnë kërkesat e tyre, ndërsa kauza nisi të tejkalonte kufijtë e Zvërnecit. Për disa protestues, zemërimi vazhdon të lidhet me projektin në zonën e mbrojtur; për të tjerë, me aferat e korrupsionit që kanë çuar para drejtësisë drejtues të lartë shtetërorë, ndërsa shumë të tjerë flasin për vështirësitë ekonomike dhe faturat gjithnjë e më të larta në fund të muajit.
Të pyetur në shesh, duket se të gjithë kanë arsyen e tyre.
“Më thuaj një arsye për të mos protestuar”, thotë Moza, një grua rreth të 65-ave, e cila së bashku me tre shoqet e saj i bashkohet thirrjeve për rrëzimin e qeverisë.
Për Florarta Mollën, arsyeja lidhet me mbrojtjen e natyrës. E angazhuar prej vitesh në promovimin e turizmit, ajo thotë se Shqipëria po humbet pikërisht atë që e bën të veçantë. Duke kujtuar turet me turistë në Sazan, Molla tregon se të huajt nuk vijnë për të gjetur një “kopje” të Dubait, por për të përjetuar natyrën e paprekur dhe autenticitetin që vendi ende ruan.
“Për çfarë të vijnë në Shqipëri nëse ne nuk e mbrojmë natyrën dhe nuk gjejnë më natyrë?”, thotë ajo.
Një tjetër protestuese, në profesion arkitekte, e sheh protestën si reagim ndaj mënyrës së si po zhvillohet territori dhe qytetet shqiptare. Sipas saj, projektet madhore vendosen politikisht, ndërsa profesionistët vendas mbeten në plan të dytë. Ajo kritikon varësinë nga studiot e huaja dhe mungesën e rolit real të arkitektëve shqiptarë në vendimmarrje, ndërsa projektet e realizuara i quan “shëmti pa identitet”.
Visjana Musai e sheh protestën si një detyrim qytetar. Ajo thotë se ka marrë pjesë në tubime edhe kur numri i protestuesve ishte më i vogël, ndërsa sot sheh me shpresë rritjen e pjesëmarrjes.
Për Jetmira Podën, protesta tejkalon bindjet politike. Ajo thotë se sot ndodhet në shesh si qytetare dhe jo si përfaqësuese e një krahu politik. Sipas saj, shumë shqiptarë janë zhgënjyer nga politika ndër vite, ndërsa problemet e përditshme vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura.
Kristina Kambo e lidh zemërimin me sistemin shëndetësor dhe mungesën e mundësive për të rinjtë. Ajo tregon se fëmijët e saj janë larguar nga Shqipëria pasi, megjithëse kishin rezultate të shkëlqyera, nuk gjetën mundësi të drejta për të ndërtuar karrierën e tyre. Për të, emigrimi nuk është zgjedhje, por pasojë e një sistemi që nuk shpërblen meritën.
Emigrimi përbën një ndër arsyet më të përmendura nga qytetarët.
“Më kanë ikur fëmijët. Mbaroi vajza mjekësinë shkëlqyeshëm dhe nuk i dhanë mundësinë për specializim. Kërkuan lekë”, thotë Moza.
“Marrin fëmijët valixhet dhe i shohim të ikin, nuk mundemi as t’i kundërshtojmë dot”, thotë e prekur shoqja e saj, një grua në të 60-at, duke ngacmuar një nga plagët më të thella të vendit, atë të largimit masiv të të rinjve.
Për Shabanin, një tjetër burrë në pension, lista e arsyeve është e gjatë: kostoja e jetesës, mungesa e përfaqësimit dhe përqendrimi i pushtetit.
“A jetohet me pensionet që kemi ne? Po lërna ne, po dal për ju të rinjtë”, shton ai, teksa thekson se nga tre fëmijë, vetëm më i vogli prej tyre është ende në Shqipëri, edhe ai me shpresën për të ikur.
Pavarësisht larmishmërisë së moshave, pjesa dërrmuese e protestuesve janë nën 30 vjeç. Me energjinë dhe vendosmërinë e një brezi që kërkon një të ardhme më të mirë, ata artikulojnë dhjetëra arsye për të protestuar.
Dikush flet për pamundësinë për t’u vetërealizuar, dikush për mungesën e meritokracisë dhe nepotizmin, të tjerë për arrogancën e pushtetit, qiratë që rriten më shpejt se pagat apo pamundësinë për të blerë një banesë.
“Ndihem i huaj në vendin tim. Unë jam shkolluar, profilizuar; pse të iki të ndërtoj jetën diku gjetkë?” tha një i ri mes turmës.
Shumë prej tyre pranojnë se e kanë menduar emigrimin. Por, të paktën për momentin, kanë zgjedhur të qëndrojnë.
Gazetari Gjergj Erebara e sheh protestën si një kundërpërgjigje ndaj korrupsionit dhe pabarazisë në rritje mes klasave shoqërore.
“Protesta është antikorrupsion. Ngopje e njerëzve me kapitalizmin pa frena që krijon një elitë të pasur përtej çdo niveli të logjikshëm dhe që lë pjesën tjetër në varfëri. Është normalisht edhe mjedisore. Aktivistët mjedisorë dhanë alarmin për gardhin rrethues, aktivistët mjedisorë organizuan protestat e para dhe vijojnë të jenë pjesë thelbësore e organizimit të protestave edhe sot.”
Gazetarja Eriselda Balliu argumenton se ndjeshmëria e qytetarëve për çështjet mjedisore është e ndërtuar prej vitesh dhe lidhet me mënyrën se si janë trajtuar pasuritë natyrore nga ana e qeverisë.
“Mendoj se ndjeshmëria e protestuesve dhe qytetarëve sigurisht që është për çështjet mjedisore, të cilat kanë kohë që trajtohen si plaçkë që u shiten oligarkëve nga pushteti i Edi Ramës.”
Por, sipas saj, protesta ka arritur të tejkalojë kufijtë e një kauze të vetme mjedisore.
“Dhunimi i një protestuesi, për më tepër në sy të policisë, e cila nuk ndërhyri për ta mbrojtur, mbushi kupën e zemërimit, duke treguar se në fakt shteti u përket kriminelëve dhe banditëve. Shpejt kjo lëvizje kundërshton jo vetëm privatizimin dhe shitjen e pasurisë publike, por po kundërshton një mendësi autokrate të pushtetit të Edi Ramës dhe, më tej, një model qeverisës ku interesi për përfitimin personal të pushtetarëve ka qenë mbi interesin e shoqërisë”, tha ajo.
Në këtë mobilizim, secili qytetar sjell me vete një arsye të ndryshme për të protestuar. Bashkë, ato formojnë mozaikun e një revolte që nisi për një gardh në një zonë të mbrojtur, por që sot artikulon kërkesën për një të ardhme ndryshe.
Protesta qytetare
Në një cep të sheshit, larg megafonëve dhe thirrjeve për dorëheqje, protesta ngjyroset nga bojërat dhe lapsat me ngjyra të fëmijëve. Të ulur mbi asfalt, ata vizatojnë flamingo, pemë, flamuj dhe pankarta të vogla kartoni.
Përbri tyre, prindërit protestojnë.
Një skenë jo e zakonshme për protestat shqiptare, ku familje, artistë, studentë dhe qytetarë duket se po përpiqen të krijojnë një model tjetër proteste.
Pak metra më tutje, pankartat janë shndërruar në veprat më të fotografuara të mbrëmjes. Ironia dhe satira dominojnë mbi sloganet tradicionale politike. Në to, kryeministri shfaqet si personazh memesh, ndërsa vendimet e qeverisë përkthehen në batuta që shpërndahen me shpejtësi në rrjetet sociale.
Për aktivistin Arben Kola, pikërisht aty qëndron një nga sekretet e suksesit të protestës.
“Rrjetet sociale luajtën rolin kryesor. Pankartat po bëhen çdo ditë e më shumë diçka që ndikon te njerëzit. Janë kthyer në meme. Atë që ka tallur shqiptarët për vite me radhë, tani shqiptarët po e tallin deri në dorëheqje”, thotë ai.
Në mungesë të strukturave tradicionale politike, si dhe të një mbulimi jo gjithëpërfshirës nga mediat kombëtare, organizimi i protestës është mbështetur pothuajse tërësisht te rrjetet sociale.
Çdo mbrëmje publikohen itineraret e marshimit, sloganet e reja dhe thirrjet për pjesëmarrje, ndërsa videot dhe fotografitë nga protesta shpërndahen me shpejtësi nga mijëra përdorues.
Për gazetarin Gjergj Erebara, njëherazi edhe pjesë e organizimit të protestave, Shqipëria ka njohur edhe më parë forma proteste ku humori ka qenë arma kryesore e qytetarëve, por kësaj here fenomeni ka marrë përmasa të reja.
“Ka disa protesta në të shkuarën ku humori ka qenë arma e fortë e protestuesve përballë pushtetit. Normalisht që krijimtaria kësaj here ka shënuar kulmin”, thotë ai.
Në një kohë kur besimi te politika tradicionale duket i lëkundur, protestuesit po eksperimentojnë me forma të reja komunikimi. Pankartat, vizatimet apo memet e shpërndara mijëra herë në internet duket se po arrijnë atë që shpesh nuk e bëjnë dot fjalimet e gjata politike.
“Mendoj se ka shumë më shumë fuqi dhe emocion sesa fjalimet tradicionale me një folës në qendër, pasi mund një mendësi ku protestuesit i ‘binden’ autoritetit të një folësi dhe së dyti sepse krijon një mundësi për të imagjinuar dhe vënë në praktikë imagjinatën se një protestë tjetër, e bashkuar dhe e decentralizuar, ashtu si një Shqipëri tjetër, e bashkuar dhe e decentralizuar, është e mundur”, thotë Erebara.
Duket se elementi më dallues i kësaj lëvizjeje mbetet kreativiteti.
Me megafonë, satirë, art rruge dhe fëmijë që vizatojnë mbi asfalt, protesta ka ndërtuar një identitet të vetin. Një protestë që kërkon ndryshim, por që përpiqet ta artikulojë atë me një gjuhë krejt të ndryshme nga ajo që Shqipëria ka njohur deri më sot.
Ndërsa çdo mbrëmje qyteti gumëzhin nga revolta, qytetarët vazhdojnë të dëshmojnë se kjo nuk është një protestë vetëm e një kauze, por një përpjekje për të imagjinuar një mënyrë tjetër të të bërit politikë dhe përpjekje e një brezi për të imagjinuar, kërkuar e formuar një Shqipëri tjetër. /Faktoje.al














