Një raport i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), i dorëzuar në Kuvend dhe i siguruar nga Ekofin.al, nxjerr në pah një fenomen që përsëritet në vitet e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare: rritjen e ndjeshme të numrit të vendimeve për legalizimin e ndërtimeve pa leje.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2025 janë marrë gjithsej 26,101 vendime për legalizim/moslegalizim, më shumë se dyfishi i nivelit të vitit 2024, kur u regjistruan vetëm 11,167 vendime. Kjo përfaqëson një rritje prej rreth 134% brenda një viti, duke e bërë vitin 2025 periudhën me performancën më të lartë të procesit që nga krijimi i ASHK-së në vitin 2019.
Por ajo që bie në sy është se kjo nuk është hera e parë që procesi përshpejtohet në një vit elektoral. Sipas të dhënave të analizuara nga ekofin.al, edhe në vitin 2021, kur Shqipëria zhvilloi zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, numri i vendimeve arriti në 25,088, duke shënuar një rritje prej gati 20% krahasuar me vitin paraardhës.
Grafiku historik i raportit tregon se dy kulmet më të rëndësishme pas krijimit të ASHK-së përkojnë pikërisht me vitet kur qytetarët janë thirrur në kutitë e votimit për zgjedhjet parlamentare. Në vitin 2021 u regjistrua niveli më i lartë deri atëherë, ndërsa në vitin 2025 ky rekord u thye sërish.

Vetë raporti thekson se viti 2025 ka qenë viti me performancën më të lartë në procesin e legalizimeve. Nga 28,721 kërkesa të trajtuara, për 26,101 raste është marrë vendim përfundimtar, ndërsa për 2,620 raste procesi vijon me vendimmarrje të ndërmjetme.
Në aspektin kumulativ, procesi i legalizimeve ka arritur në fund të vitit 2025 në 291,114 vendime të marra gjithsej që nga nisja e tij në vitin 2006. Vetëm gjatë vitit të kaluar këtij stoku iu shtuan mbi 26 mijë vendime të reja, ritmi më i lartë i regjistruar në gjashtë vitet e fundit.
Raporti evidenton gjithashtu se aktualisht në sistem rezultojnë rreth 130 mijë vetëdeklarime të patrajtuara, çka tregon se procesi mbetet ende larg përfundimit. Sipas ligjit për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë, legalizimi i ndërtimeve pa leje duhet të mbyllet deri në vitin 2028.
Megjithëse raporti nuk vendos lidhje mes ecurisë së procesit dhe kalendarit politik, përputhja e rritjeve më të forta të legalizimeve me vitet zgjedhore 2021 dhe 2025 ngre pikëpyetje mbi ndikimin që mund të ketë dinamika elektorale në ritmet e përpunimit të dosjeve të legalizimit. Për mijëra familje, legalizimi mbetet një nga çështjet më të ndjeshme të pronësisë, ndërsa për politikën vazhdon të jetë një temë me peshë të konsiderueshme elektorale. /ekofin.al














