Pamje të reja janë publikuar lidhur me zhdukjen e 34-vjeçarit, Eglant Koçit më 5 qershor në zonën e 5 Majit. Në video shihet, autori i dyshuar i rastit, Armand Shakaj që largon motorin e Koçit dhe pas disa minutash kthehet në këmbë. Motori u gjet 2 ditë pas zhdukjes së 34-vjeçarit.
Të martën u publikua edhe fotografia e fundit e fiksuar nga kamerat e sigurisë e Koçit. Dyshimet e deritanishme të hetuesve të Krimeve të Rënda në Policinë e Tiranës lidhen me një sasi parash digjitale që 34-vjeçari posedonte në aparatin e tij celular. Kjo pistë po konsiderohet si një nga motivet kryesore që mund të ketë çuar në rrëmbimin e tij.
Sipas Policisë, si autor i dyshuar i rrëmbimit është Armand Shaka, 41 vjeç, i cili dyshohet se ka mbajtur peng Eglant Koçin. Hetuesit po përpiqen të zbardhin nëse ai ka vepruar i vetëm apo me urdhër të personave të tjerë.
Nga veprimet hetimore është bërë e mundur gjetja e motomjetit të 34-vjeçarit, si dhe identifikimi i ambientit ku ai dyshohet se ka hyrë për herë të fundit. Sipas provave të mbledhura deri tani, nga ky ambient ka dalë vetëm autori i dyshuar, i cili mendohet se mund ta ketë transportuar më pas 34-vjeçarin me automjet.
Kontrolle të shumta janë ushtruar në ambientin ku dyshohet se është mbajtur peng i riu, si dhe në zona të tjera, por deri tani nuk është bërë e mundur gjetja e tij.
Në kuadër të hetimeve është arrestuar edhe Enea Zyferi, 25 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka ndihmuar Armand Shakën pas ngjarjes.
Ndërkohë, automjeti me të cilin dyshohet se është transportuar Eglant Koçi është gjetur dhe sekuestruar si provë materiale.














