Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i është drejtuar me një mesazh kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se nuk ka asnjë kufi kur bëhet fjalë për ruajtjen e pushtetit dhe se, sipas tij, nuk e ka problem as të “flirtojë” me Iranin.
Komentet Bardhi i bëri duke iu referuar replikave në distancë mes kryeministrit Rama dhe zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, lidhur me pretendimet për ndikim iranian në protestat që kundërshtojnë investimin në Zvërnec.
Sipas Bardhit, ishte vetë Rama ai që e solli Iranin në këtë debat publik, duke akuzuar protestuesit dhe duke ngritur, siç shprehet ai, një skenar për “komplot me iranianë” kundër projektit në Zvërnec.
Ai thekson se kryeministri, sipas tij, shpik armiq imagjinarë për të justifikuar qëndrimin në pushtet, duke shtuar se Rama nuk ndryshon nga regjimet autoritare në mënyrën se si trajton kundërshtarët dhe pushtetin.
Në deklaratën e tij, Bardhi shprehet:
“Oh, really? Vërtet i di shqiptarët kaq budallenj? Nuk ka asgjë të papritur këtu. Iranin në këtë debat e fute ti.
Ti akuzove protestuesit.
Ti shpike komplotin me iranianë.
Ti e kërkove këtë reagim.
Tani, nuk besoj se ka mbetur njeri me dyshime se për karrigen tënde nuk njeh as kufij dhe as pasoja. Ti po provon se për pushtetin tënd nuk e ke problem madje as të flirtosh me Iranin.
E vërteta është se nuk ndryshon nga ajatollahët në raportin që ke me pushtetin: kush nuk të bindet shpallet armik.
Protestuesit armiq.
Opozitarët armiq.
Fqinjët armiq.
Europianët armiq.
Influencerët armiq.
Sot Shqipëria ka vetëm një armik: Edi Rama. Dhe ka ardhur koha të largohet.”














