Mungesa e ujit të pijshëm në fshatin Mabë të Lezhës vijon të mbetet një problem i pazgjidhur për banorët e zonës, duke vështirësuar jetesën e përditshme dhe duke rënduar ekonominë familjare, veçanërisht gjatë muajve të verës.
Banorët shprehen të revoltuar për situatën që zgjat prej vitesh pa marrë zgjidhje. Ata thonë se janë të detyruar të blejnë ujë me bidona për të përmbushur nevojat bazë të familjeve të tyre, duke përballuar çdo muaj kosto shtesë.
“Ujë të pijshëm nuk kemi. E blejmë në dyqan me bidona”, shprehet një banor i fshatit.
Sipas banorëve, edhe investimet e kryera ndër vite në rrjetin e ujësjellësit nuk kanë sjellë përmirësim të situatës. Ata pretendojnë se punimet kanë qenë të paplota dhe nuk kanë garantuar furnizimin normal me ujë të pijshëm.
“Investimi ka qenë i kotë dhe i paplotë. Nuk e dimë si është bërë, por fakti është që ne vazhdojmë të mos kemi ujë”, deklarojnë banorët.
Problemi bëhet edhe më shqetësues gjatë sezonit veror, kur temperaturat e larta dhe rritja e konsumit e përkeqësojnë më tej situatën. Për shumë familje, blerja e vazhdueshme e ujit është kthyer në një barrë të rëndë ekonomike.
Megjithëse ndër vite janë dhënë premtime nga autoritetet vendore dhe institucionet përgjegjëse, banorët thonë se deri më sot nuk është ndërmarrë asnjë zgjidhje konkrete.
Të zhgënjyer nga situata, ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për garantimin e furnizimit me ujë të pijshëm, duke theksuar se një nevojë jetike nuk mund të mbetet peng i premtimeve të pambajtura.














