Analisti Fatos Lubonja i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama pas deklaratës së tij se ai “jeton me makthin e mafias që kur u nda nga unë”.
Në një intervistë për News24, Lubonja theksoi se me kryeministrin Rama kanë ndarë dikur ide të përbashkëta në të mirë të vendit, ndërsa shtoi se ishte vetë shefi i qeverisë që u nda nga idetë që promovonin.
Sipas tij, Rama po bën të kundërtën e asaj që kanë promovuar dikur si intelektualë.
“Është në vazhdën e mënyrës së tij të komunikimit atje ku nuk i pëlqen, gjen armikun dhe e sulmon. Unë e pashë atë pjesën ku flet për mua, dhe këtu sigurisht që nuk dua të flas për veten, por për shqetësimin që kemi si shqiptarë. Në lidhje me mafian, që kur tha se u nda me mua jeton me makthin e mafias. E para nuk kam qenë ndonjëherë i bashkuar me lidhje martesore apo ose shoqërore të vjetër të ushtrisë, të burgut.
Mua me Ramën më kanë bashkuar disa ide që kishim si intelektualë në atë kohë që lidheshin me politikën, se si duhet bërë politika për shkak të autoritarizmit të Berishës. Për demokracinë e lirinë, që lidheshin me kulturën e vjetër e të re, dhe me vizionin e Shqipërisë se si do të bëhej në kundërshtim me atë që shikonim në vitet ’90.
Ai që u nda jo nga unë, por nga idetë që kishim promovuar së bashku është Edi Rama për të përqafuar atë që e kam quajtur mafie e këtij pushteti. Po bën të kundërtat e atyre ideve që kemi promovuar si intelektualë në atë kohë. E njëjta gjë edhe e lidhur me projektin në fjalë.”, tha Lubonja.













