Policia u ka hequr licencën dy subjekteve private të sigurisë fizike, “Myrto Security 1.3A” dhe “Major Security”, pas shkeljeve të konstatuara gjatë protestës së zhvilluar më 30 maj në Zvërnec, kundër ndërtimit të një resorti.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë thuhet se hetimet e kryera kanë evidentuar shkelje të rënda në ushtrimin e detyrave ligjore nga të dy kompanitë e kontraktuara për ruajtjen e pronës në zonë.
Nga verifikimet rezultoi se subjekti “Myrto Security 1.3A” “nuk kishte marrë masat për sigurinë e objektit dhe nuk kishte zbatuar rregullat për regjimin e hyrjes dhe daljes së personave dhe mjeteve në objekt. Nga ana e këtij subjekti nuk administrohej lista e personave dhe mjeteve që lejoheshin të hynin në objekt. Për shkak të mospërmbushjes së këtyre kritereve, më datë 30.05.2026, janë lejuar të hyjnë në brendësi të rrethimit, persona të paidentifikuar dhe të panjohur nga personeli i shërbimit”.
Ndërkohë, për subjektin “Major Security”, hetimet kanë konstatuar se një punonjës i licencuar, së bashku me dy persona të tjerë të palicencuar dhe të paregjistruar pranë kompanisë, kanë kryer veprime arbitrare ndaj një protestuesi. Sipas Policisë, ata e kanë goditur dhe e kanë marrë me forcë brenda rrethimit të pronës, duke i shkaktuar dëmtime fizike.
“Në përfundim të hetimeve administrative, për shkeljet e konstatuara në të dy subjektet, ShPSF “Myrto Security 1.3A” dhe ShPSF “Major Security”, referuar ligjit “Për shërbimin privat të sigurisë fizike”, me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, të dy subjekteve iu hoq licenca për ushtrimin e këtij aktiviteti”, thuhet në njoftimin e policisë.
LEXO EDHE:














