Partia Demokratike i nisi punimet e Kuvendit Kombëtar duke prezantuar një avatar të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, të krijuar me Inteligjencë Artificiale.
Përmes këtij prezantimi, PD ironizoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama, duke e krahasuar këtë nismë me ministren virtuale “Diella”, për të cilën opozita ka deklaruar më herët se ka kushtuar miliona euro.
“Unë jam Skënderbeu. Jo Skënderbeu i Elisës, para se Elisa të inatosej me Skënderbeun e saj, As Skënderbeu i kullës së Edit në mes të Tiranës.
Jam Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, heroi kombëtar i shqiptarëve, europeisti i parë i këtyre trojeve. Në fakt, jam një avatar i krijuar nga Departamenti AI i Partisë Demokratike. Ndryshe nga avatari i Ramës, Diella, që ka kushtuar milion euro, unë kam kushtuar vetëm 100 euro.
Edi Rama po i kushton shumë Shqipërisë: që nga pushtimi otoman askush nuk i ka kushtuar më shumë këtij vendi të bekuar. Në fund, më lejoni që t’i uroj punë të mbarë Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike. Le të jetë kjo besëlidhje, jo vetëm e Ripërtëritjes, por edhe e Anti-Vjedhjes!”














