Gjykata e Posaçme ka kthyer për plotësim hetimesh dosjen e ish-kreut të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri, i akuzuar për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera.
Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar pushimin e çështjes me argumentin se pasi u ezauruan të gjitha fazat e hetimit u konstatua se fakti ekziston, por nuk përbën vepër penale, ndërkohë që sot gjykata ka vendosur të kthejë dosjen, duke i caktuar 45 ditë kohë Prokurorisë, të kryejë veprime shtesë hetimore, përfshirë një akt-ekspertim.
Myzyri u hetua për një periudhe dy vjeçare nga organi i akuzës nën dyshimet se institucioni i drejtuar prej tij ka kryer shkelje në lidhje me një procedurë tenderuese me vlerë rreth 2.2 milionë euro të kryer në vitin 2020 për mirëmbajtjen e segmentit rrugor Rrëshen (Ura e Fanit)-Shpal, Shpal-Qafë Bene-Hadroj dhe Shpal-Ura e Repsit me gjatësi totale 59 kilometra.













