Deputeti demokrat, Luçiano Boçi, ka komentuar procesin e zgjedhjeve në PD, duke e cilësuar atë si një proces unifikues dhe demokratik për partinë.
Nga selia blu, Boçi theksoi se pjesëmarrja e demokratëve ka qenë e lartë dhe se vetë referendumi përbën një formë legjitime zgjedhjeje politike.
Sipas tij, procesi po zhvillohet në mënyrë të qetë dhe transparente. Boçi nënvizoi se PD-ja duhet të shmangë debatet dhe përçarjet e brendshme, pasi, sipas tij, partia nuk ka luksin të rikthehet në ndasi që i ka kaluar prej kohësh.
“Procesi është i qetë, transparent. Pjesëmarrja është e madhe nga të gjitha raportimet që kemi marrë edhe nga qarqet. Ka besim, ka shpresë, ka mbështetje dhe qartazi PD-ja ndërton rrugën e saj të suksesit duke nisur nga sot. Në fakt dhe referendumi është zgjedhje. E kam thënë, kjo është shumë e mirë. PD-ja nuk ka luksin të hyjë në debate, në ndarje, në përçarje, të cilat kemi kohë që i kemi përjetuar, duam t’i lëmë pas.
Proceset unifikuese janë më të mirat dhe më të shëndetshmet për demokracinë e brendshme brenda një partie që ka qenë target i sulmeve të shumëfishta, të shumanshme. Dhe unë mendoj që kjo tregon një pjekuri dhe ndërgjegje të lartë të demokratëve për të shmangur të gjitha këto gjëra.
Sigurisht çdo gjë ka pjesën e vet apo secili ka atë interpretimin e vet. Por sot jemi në një proces unifikimi, i cili dëshmohet, së pari edhe mbështetje, së pari edhe në proces. Procesi është demokratik sepse këtu është rëndësia e një procesi, pastaj pasja e rivalëve apo jo janë kushte statutore, janë kushte procesi, dhe procesi ka qenë i hapur. Ky ishte definimi, përfundimi, ky është dhe vullneti i demokratëve në fund fare”, u shpreh ai.














