Nga Boldnews.al
Skuadra e futbollit të Elbasanit do të marrë 10 milionë lekë të reja premio, nëse fiton në sistemin “Final 4” dhe shpallet kampion i Shqipërisë. Këtë deklaratë motivuese e ka bërë pak ditë më parë Presidenti i klubit, Kujtim Llupa.
Ky njoftim u përhap me shpejtësi në median sportive dhe, natyrisht, futbollistët e Elbasanit do të bëjnë gjithçka për të “detyruar” Llupan që të mban fjalën e dhënë.

Kujtim Llupa është publikisht Presidenti i “Akademisë së Futbollit të Elbasanit”, megjithëse në dokumentat zyrtare ai nuk rezulton aksioner i skuadrës.
Ekipi, i krijuar në vitin 1929, ka qenë për shumë kohë në pronësi të Bashkisë së Elbasanit. Në vitin 2021, pushteti lokal e shndërroi skuadrën në Shoqëri Aksionere, me emrin “AF Elbasani”.
Në vitin 2023, Bashkia organizoi një ankand për shitjen e 70 përqind të aksioneve të saj. Media e konsideroi këtë procedurë si një rutinë me fitues të (para) caktuar, duke përmendur emrin e biznesmenit Kujtim Llupa. Ai kishte kontribuuar edhe më herët për skuadrën dhe gjithçka dukej formale.
Por, në përfundim të procesit, ankandi u fitua nga pjesëmarrësi i vetëm në procedurë, “Blaed Trade”, një kompani nga Lezha që nuk dukej se kishte lidhje, as me sportin dhe as me Elbasanin.

Megjithatë, në një publikim të mëhershëm, “Boldnews.al” raportoi se, pavarësisht fituesit të ankandit, në ambjentet e skuadrës u shfaq si “pronar” biznesmeni Kujtim Llupa, i cili formalisht nuk ka asnjë raport me pronarët e rinj të “Af Elbasani”.
Gjithashtu, në atë raportim u ngritën pikëpyetje edhe mbi mënyrën se si u organizua ankandi nga kryebashkiaku Gledjan Llatja dhe, sidomos, vlera minimale fillestare e procedurës.
Megjithatë, aktualisht kuadri drejtues i subjektit “AF Elbasani” është e tillë: Bashkia e Elbasanit, 30 përqind të aksioneve; “Blaed Trade” shpk, 70 përqind të aksioneve…dhe Kujtim Llupa, President, i cili menaxhon situatën, duke premtuar edhe premio për fitoren e skuadrës.
Ortakët “problematikë” të Kujtim Llupa
Kujtim Llupa është përfshirë në mënyrë disa-dimensionale në tregun e sportit. Disa vite më parë, ai ka qenë aksionet në kompaninë e basteve “ITSGA”, e njohur më së miri nga të apasionuarit e kumarit me emrin tregtar “Eccobet”.
Bastet me vëllezërit Murataj
Në kompaninë e krijuar që në vitin 2003, Kujtim Llupa rezultonte bashkëpronar me Besnik e Gramoz Murataj, dy personazhe të dënuar për trafik narkotikësh në Itali.
Dy vëllezërit Murataj, së bashku me Agron (Geron) Xhafaj, vëllain e ish-ministrit të Brendshëm dhe aktualisht deputetit socialist, Fatmir Xhafaj, janë dënuar fillimisht nga Gjykata e Leçes dhe më tej nga Apeli e Kasacioni italian në vitin 2012, për përfshirje në grup që ka trafikuar sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike nga Shqipëria drejt Italisë.

Në vendin tonë, Besnik dhe Gramoz Murataj u përfshinë në biznesin e basteve, në ortakëri me Kujtim Llupan dhe disa persona të tjerë.
Në vitin 2018, kur qeveria shqiptare vendosi mbylljen e basteve, kompania “ITSGA” (Eccobet) shpalli falimentin dhe këtu përfundoi ortaktëria zyrtare mes Kujtim Llupa-s dhe vëllezërve Murataj.
Ortakët e bashkëpunëtorët
Emri i Kujtim Llupas gjendet në të paktën 10 kompani të ndryshme, sipas Regjistrit të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB). Disa nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë gjenden në regjistrat e subjektit “Akademia e Futbollit Elbasani”, në të cilën, emri i Llupas nuk figuron zyrtarisht si aksioner.

Kujtim Llupa është ortak me Arben Gjoshi në të paktën tre kompani: “Premium Distribution”, “Intis Co” dhe “Sentinel Soft”.
Gjoshi ka qenë më herët aksioner në shoqërinë “Blaed Trade”, por u largua prej saj në vitin 2018, rreth 5 vjet para zhvillimit të ankandit nga Bashkia e Elbasanit për shitjen e 70 përqind të aksioneve të klubit të futbollit të qytetit.
Ndërkohë, Arben Gjoshi, prej vitit 2024, është anëtar i Anëtar i Këshillit Mbikqyrës të “Akademia e Futbollit Elbasan” shpk.
Në Prill 2025, Kujtim Llupa krijon kompaninë “Tech Consult”, në ortaktëri me shtetasin Mareglen Çoku. Bashkëpunimi i tyre ndërpritet vetëm një muaj më pas, në maj 2025.
Mareglen Çoku ka gjithashtu lidhje të forta me “Akademinë e Futbollit Elbasan”. Ai u emërua administrator i kompanisë në vitin 2021 nga Bashkia e Elbasanit dhe mori ri-emërimin në këtë pozicion të lartë edhe pasi pjesa prej 70 përqind e pronësisë së subjektit privat kaloi në duart e “Blaed Trade”.

Pak kohë më parë, në media u raportuar se mjediset private të Mareglen Çokut ishin subjekt i një kontrolli të urdhëruar nga ana e Prokurorisë së Posaçme, SPAK.
Sipas burimeve të hapura, këto kontrolle u zhvilluan në kuadër të hetimeve që prokurorët po kryejnë ndaj një grupi të dyshuar kriminal, të drejtuar nga Suel Çela.
Mareglen Çoku mori riemërimin si Administrator i skuadrës së Elbasanit në korrik të vitit 2024, me miratimin e Këshillit Mbikqyrës të Shoqërisë, i cili zgjati deri në mars 2025. Në vendimin e ri-emërimit, të siguruar nga “Boldnews.al” spikat edhe një emër tjetër-Luan Tabaku, anëtar i Këshillit Mbikqyrës.

Tabaku, ish-drejtor i Ujësjellësit të Elbasanit, i miratuar nga kryebashkiaku Gledjan Llataj, ishte gjithashtu subjekt i kontrollit nga ana e Prokurorisë së Posaçme, në kuadër të hetimeve të grupit të dyshuar të Suel Çelës.
Reporterët që ndjekin nga afër zhvillimet nga SPAK-u thanë në atë kohë se “prokurorët dyshojnë se Çela ka fshehur pasuritë që rrjedhin nga aktivitetit kriminal i tij, në shoqërinë e futbollit AF ‘Elbasani’, por edhe nëpërmjet shoqërive apo personave të tjerë që janë aktualisht në hetim”.
Biletat e ndeshjeve
Gjatë aktivitetit të gjatë tregtar, Kujtim Llupa është hasur me ortakë e bashkëpunëtorë të përfshirë në krim të organizuar si vëllezërit Murataj, ose të dyshuar, si Çoku e Tabaku.
Megjithatë, të paktën deri më tani, nuk rezulton asnjë rekord publik që ta vendosë Llupa-n në veprimtari antiligjore.
Llupa është aktualisht aksioner i vetëm edhe një subjekti tjetër privat, “Blini Bileta” shpk, e cila menaxhon faqen on-line “T-tickets”.
Kjo faqe shërben për shitjen e biletave sportive për ndeshjet kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilat luhen në stadiumin “Air Albania”, në Tiranë.
LEXO EDHE:
Ankandi i dyshimtë i Llatjas/ Si u shit ekipi i Elbasanit 3 herë më lirë se investimi













