Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se raportimet e lidhura me procesin e IBAR-it të Shqipërisë nuk pasqyrojnë realitetin e vendit dhe shqiptarëve.
Në një konferencë për mediat, Berisha u shpreh se kjo mungesë transparencë ka ndodhur me direktiva të ardhura nga zyra e kryeministrit Edi Rama, që sipas tij, ka dashur të tregojë ndryshe problematikat madhore të qeverisjes së tij.
Sipas kryedemokratit, të vërtetat për vendin janë krejtësisht ndryshe nga standardet e Bashkimit Europian dhe nuk janë në anën e qytetarëve.
“Mafia e fjalës së lirë, në përputhje me direktivat që mori nga zyra e Kryeministrit, nxiu me dhjetëra e dhjetëra faqe në portale, gazeta. Konsumoi orë të tëra në studio për të mashtruar qytetarët për raportin IBAR.
Kjo pasi censuroi totalisht raportin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian. Pikërisht ky qëndrim që tejkalon çdo lloj kufiri që më detyron sot në emër të transparencës t’u paraqes shqiptarëve të vërtetat e raportit. I falënderoj që kanë pasqyruar në raportin e tyre realitetin shqiptar ashtu siç është dhe jo realitetin e sheqerosur me lobime korruptive, si edhe problematikat madhore të narkoregjimit të Edi Ramës.
Në lidhje me standardet e Bashkimit Europian, është një vend krejtësisht tjetër. Fatkeqësi e madhe që mediat në vend që të mbajnë anën e qytetarëve dhe interesave të vendit, mbajnë anën e kreut të Meduzës, duke mashtruar qytetarët për këtë raport”,-tha Berisha.














