Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar ish-kryetaren e komanduar të Bashkisë së Tropojës, Zyra Islamaj, për akuzën e korrupsionit pasiv.
GJKKO e dënoi me 2 vite e 1 muaj burg Zyra Islamajn, dënim i cili i është konvertuar në 2 vite shërbim prove, me kusht moskryerjen e një vepre tjetër penale gjatë kësaj periudhe ndërsa i është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.
Në të njëjtën çështje, GJKKO ka dënuar edhe ndërtuesin Rrok Gega me 6 muaj burg për akuzën e korrupsionit aktiv, dënim i pezulluar me shërbim prove për një periudhë 1-vjeçare.
Zyra Islamaj, e cila ka mbajtur përkohësisht detyrën si kryetare e Bashkisë Tropojë, u mor e pandehur nga SPAK pasi dyshohet se i kishte kërkuar ndërtuesit Rrok Gega ndërtimin e një ure pranë banesës së motrës së saj, urë e cila nuk ishte parashikuar në projekt.
Sipas SPAK, ajo kishte ndërhyrë te ndërtuesi dhe kishte angazhuar edhe teknikun e mirëmbajtjes së rrugëve në bashki.
Si nisën hetimet
Hetimi nisi pas ndërtimit të një ure në fshatin Luzhë. Sipas SPAK, Zyra Islamaj përdori fondet e bashkisë për interesa personale, duke favorizuar familjarët e saj që jetojnë në këtë fshat. Tenderi u hap nga Bashkia e Tropojës dhe u fitua nga Rrok Gega, i cili është nën hetim bashkë me ish-kryetaren.
Rasti u denoncua në dhjetor 2024 nga Partia Demokratike përmes zëdhënëses së saj për Antikorrupsionin, Genta Vangjeli. PD raportoi se Islamaj kishte kërkuar që ndërtuesi të ndërtonte një urë të personalizuar mbi përroin pranë banesës së motrës së saj.
Zyra Islamaj u komandua në krye të Bashkisë së Tropojës në shtator 2024, pas arrestimit të kryebashkiakut Rexhë Byberi, i akuzuar për ‘shpërdorim detyre’ dhe dëm ekonomik prej 2.7 miliardë lekësh të vjetra për buxhetin e shtetit.














