Kreu i PD-së, Sali Berisha, këtë të mërkurë nga selia blu në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së ka folur sërish për zgjedhjet e 11 majit 25, duke thënë se “Partia-Shtet” ka bërë farsë elektorale.
Gjatë fjalës së tij ai ka përmenduar edhe rolin e grupit të punës të dy reformave atë territoriales dhe zgjedhores, por sërish ka akuzuar rëndë Kryministrin Edi Rama duke thënë se ka vepruar më keq se Vaso Çubriloviçi sepse ka shuar 80% të komunave malore me reformën territoriale të 2014.
Fjala e Berishës:
Lobingjet e Ramës, të paguara, kanë marrë fund. Komuniteti ndërkombëtar flet për parti shtet në Shqipëri. Partia shtet zgjedhje nuk zhvillon, zhvillon farsë elektorale. Kjo është bërë falë punës së ndershme të OSBE-ODHIR, që atë vëzhgim të zgjedhjeve e paraqitën me vërtetësi të madhe para komunitetit ndërkombëtar.
Sot punohet për komisionin e Reformës, mbi bazën e dokumenteve të shkëlqyera të institucioneve ndërkombëtare. Ne jemi të gatshëm që të zbatojmë një për një rekomandimet e tyre. U jemi shumë mirënjohës, me përcaktimet e tyre të drejta, pa të cilat nuk do u jepej përgjigje problemeve madhore të farsës elektorale.
Është bërë dhe po bëhet punë e mirë nga Komisioni i Reformës Territoriale. Janë organizuar dëgjesa në vlerësimin tim të rëndësishme dhe të çmuara, ku shqiptarët kanë dëgjuar vlerësimet e tyre për pseudoreformën e Ramës që ishte e tëra në funksion të shpopullimit të qeverisë.
Përshëndes anëtarët e komisionit, qytetarët, dhe i garantoj që jemi të vendosur të paraqesim hartën më të mirë, ndarjen territoriale më në interes të qytetarëve. Këtë na e bën të mundur ekspertiza që ka kongresi i autoriteteve lokale dhe rajonale pranë KE. Ai shoi të gjitha komunat malore. As Çubriloviçi nuk do e bënte këtë gjë, ku shkoi Edi Rama.
Ndaj e vlerësoj punën me transparencë që po bëhet. Siç vlerësoj dhe grupin e punës që ka bërë punën për zbatimin e vendimeve të gjykatës Kushtetuese për rregulloren e Kuvendit. GJK hodhi poshtë aneksimin e parlamentit, aktin e pseudomazhorancës, që konsistonte në një rregullore pa konsum me opozitën.
E bënë në mënyrë të rrufeshme, në kundërshtim me rregulloren. GJK e hodhi poshtë këtë akt si antikushtetues. Urdhëroi parlamentin që pas zbardhjes të bënte amendimet e domosdoshme Kuvendi, që të respektohej vendimi i saj.”, tha Berisha.













