Një tjetër episod i rëndë dhune ka tronditur qytetin e Foggias në Itali, ku të shtënat me armë pranë një parku publik kanë rikthyer frikën dhe pasigurinë mes banorëve.
Në qendër të hetimeve ndodhet edhe shqiptari Erjon Rameta, i njohur me nofkën “Antonio shqiptari”, një emër tashmë i njohur për autoritetet italiane për shkak të precedentëve penalë që lidhen me armë dhe atentate.
Sipas mediave të huaja, 37-vjeçari u arrestua së bashku me një bashkëmoshatar italian nga Foggia, i njohur si “Basto”, nën akuzën për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje, pas ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e 10 majit pranë parkut në rrugën Ugo Iarussi.
Sipas rindërtimit të ngjarjes nga karabinierët, konflikti degradoi në shkëmbim zjarri në një zonë të mbushur me familje, gra dhe fëmijë, të cilët u përfshinë nga paniku sapo nisën të shtënat. Dy persona mbetën të plagosur në gjymtyrët e poshtme.
Policia ndërhyri fillimisht pranë parkingut të “Penny Market” në rrugën San Severo, pas raportimit të një shtetasi të huaj që pretendonte se ishte kërcënuar me vdekje. Pak momente më vonë, efektivët dëgjuan të shtënat që vinin nga parku publik aty pranë.
Rameta u kap rreth 40 metra larg vendit të ngjarjes, ndërsa personi tjetër u arrestua pas ndjekjes nga policia, edhe falë dëshmive të qytetarëve të pranishëm. Në vendngjarje u sekuestruan dy pistoleta me numra serialë të fshirë, të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë përplasjes me armë.
Gjykata konfirmoi më pas arrestimin e dy të dyshuarve, duke vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”.
Emri i Erjon Rametës nuk është i panjohur për drejtësinë italiane. Në korrik të vitit 2025 ai ishte arrestuar së bashku me 20-vjeçarin Leonardo Russo, pas një ndjekjeje filmike në rrugët e Foggias. Gjatë operacionit, policia gjeti një pistoletë “Beretta” të kalibrit 9 mm, e hedhur në një pallat gjatë tentativës për arratisje.
Për atë episod, shqiptari u dënua me 3 vite e 4 muaj burg me procedurë të shkurtuar.
E kaluara kriminale e 37-vjeçarit lidhet edhe me atentate me eksploziv që tronditën Foggian në vitet 2019-2020. Ai u arrestua në prill 2020 dhe më pas u dënua me 6 vite burg për dy atentate, përfshirë shpërthimin pranë pub-it “Poseidon” dhe sulmin ndaj një qendre për të moshuar.
Hetuesit italianë e kanë konsideruar shpesh Rametën si person të afërt me ambientet e “Società foggiana”, organizatë kriminale që vepron në zonën e Foggias, megjithëse aktualisht nuk ka prova për lidhje direkte të ngjarjes së fundit me krimin e organizuar.
Ndërkohë, hetimet për zbardhjen e plotë të konfliktit dhe motiveve që çuan në shkëmbimin e zjarrit vijojnë ende. Autoritetet po përpiqen të kuptojnë marrëdhëniet mes personave të përfshirë dhe arsyet që sollën përplasjen e armatosur në mes të qytetit.













