Pas lajmit se kompanitë aksionare të Aeroportit të Vlorës janë konfliktuar mëngjesin e sotëm duke penguar kështu ecurinë e punimeve, një reagim i bërë mesditën e sotme nga VIA përgënjeshtron lajmet.
Në reagimin e bërë nga vetë Aeroporti i Vlorës theksohet se, lajmet që ortakët janë në konflikt, janë të pavërteta, duke sqaruar më tej se e gjitha mbetet thjesht çështje kontraktuale.
“Kontraktori në fjalë ka rezultuar në vonesë në të konsiderueshme për përmbushjen e detyrimeve të tij, në shkelje të afateve të përcaktuara kontraktualisht. Për këtë arsye shoqëria aksionare ka ndërprerë marrëdhënien kontraktuale me këtë kontraktor, në përputhje me kushtet e kontratës dhe detyrimet përkatëse”, shkruhet në reagimin e bërë nga Aeroporti i Vlorës.
Nga ana tjetër, komapnia e Behgjet Pacollit shpreh të kundërtën. Në një reagim, ku i drejtohet edhe Ramës, kompania thekson se punëtorët janë ndaluar me lejen e VIA-s. Mëngjesin e sotëm kur punëtorët kanë mbërritur në vendin e punës ata nuk janë lejuar të hyjnë brenda. Kompania e Pacollit pretendon se, ka të drejtë ligjore për të vijuar aktivitetin e saj në projekt.
Sipas Mabco Constructions S.A, ajo është ortaku mazhoritar me 98% të kuotave të shoqërisë koncesionare “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k. dhe investitori kryesor që ka financuar dhe ndërtuar projektin me mbi 90 milionë euro investime direkte.
“Sot, në kantierin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, po zhvillohet një situatë e papranueshme, plotësisht e paligjshme dhe në kufijtë e veprimeve penale të dënueshme.
Rreth 200 punonjës, inxhinierë dhe specialistë të shoqërisë Mabco Constructions S.A., si dhe të nënkontraktorëve të saj, po pengohen fizikisht të hyjnë në kantierin që ata vetë e kanë ndërtuar dhe ngritur.
Mabco Constructions S.A. është ortaku mazhoritar me 98% të kuotave të shoqërisë koncesionare “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k. dhe investitori kryesor që ka financuar dhe ndërtuar projektin me mbi 90 milionë euro investime direkte.
Ky pengim i njëanshëm dhe i paligjshëm po kryhet nga persona që veprojnë në emër të shoqërisë “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k., nën drejtimin e një administratori, z. Vegim Hoxha, emërimi i të cilit aktualisht është objekt shqyrtimi gjyqësor.
Mabco Constructions S.A. ka kontestuar kategorikisht çdo pretendim për “zgjidhje kontrate” dhe e konsideron atë një akt të paligjshëm, të kryer nga një administrator pa autoritet të ligjshëm.
Çdo veprim i ndërmarrë nga pala me 2% të kuotave apo nga persona të emëruar prej saj në mënyrë të paligjshme, që synon përjashtimin e ortakut mazhoritar 98% nga kantieri, përbën një cenim të rëndë të të drejtave të tij si ortak, investitor dhe garantues financiar i projektit koncesionar.
Ekipi ynë ligjor ka njoftuar që prej ditës së premte dhe sërish gjatë ditës së sotme:
Prokurorinë e Vlorës;
Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë;
Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, në cilësinë e Autoritetit Kontraktues; duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për mbrojtjen e rendit publik, ligjit dhe integritetit të Kontratës së Koncesionit.
Kjo situatë po rrezikon seriozisht: sigurinë dhe rendin publik në kantier; vijimësinë e punimeve për certifikimin dhe hapjen e aeroportit; investimin e madh zviceran dhe interesin kombëtar të projektit.
Mabco Constructions S.A. u bën thirrje autoriteteve kompetente që të veprojnë pa vonesë për të garantuar aksesin e plotë dhe të papenguar të punonjësve tanë në kantier, në përputhje me ligjin dhe kontratën koncesionare.
Ne duam të besojmë në sundimin e ligjit dhe në mbrojtjen e investimeve të huaja në Shqipëri.
Mabco Constructions S.A. do të vazhdojë të ushtrojë të gjitha të drejtat e saj ligjore, civile dhe penale ndaj çdo personi apo subjekti që cenon investimin tonë dhe interesin publik.”– thuhet në njoftim.
LEXO EDHE:














