Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtetasin A.M., efektiv policie, i akuzuar për veprën penale “Përndjekja”.
Sipas organit të akuzës, hetimet kanë provuar se më 10 shkurt 2025, shtetasja L.C. ka kallëzuar ish-partnerin e saj, shtetasin A.M, me të cilin kishte pasur një lidhje prej 17 vitesh, e cila kishte përfunduar në vitin 2024.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se A.M. ka ushtruar në mënyrë të përsëritur presion psikologjik ndaj kallëzueses, përmes komunikimeve telefonike dhe kontakteve fizike, duke i shkaktuar asaj gjendje të vazhdueshme ankthi dhe frike për sigurinë personale.
Prokuroria bën me dije se kallëzuesja kishte depozituar edhe më herët disa kallëzime pranë Prokurorisë së Fierit dhe Durrësit lidhur me sjelljen e të pandehurit.
Në përfundim të hetimeve, organi i akuzës arriti në konkluzionin se janë konsumuar elementët e veprës penale të “Përndjekjes”, duke vendosur dërgimin e çështjes për gjykim.














