Deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj e cilësoi Shqipërinë si një “vend të bllokuar” nga korrupsioi, klientelizmi dhe paaftësia e qeverisë për të vepruar për qytetarët.
Nga Kuvendi, deputeti akuzoi qeverinë se po favorizon propagandën dhe interesat klienteliste në vend të investimeve që, sipas tij, u shërbejnë qytetarëve. Nënkryetari i Kuvendit ngriti shqetësime për gjendjen e infrastrukturës rrugore, kostot e larta të karburanteve dhe mungesën e sigurisë në rrugë.
“Sot Shqipëria është një vend i bllokuar. I bllokuar në rrotacion politik! I bllokuar në rrugët që fillojnë e nuk mbarojnë kurrë, i bllokuar nga çmimi i naftës, i bllokuar nga mungesa e sigurisë së udhëtimit!
Të vret pijaneci, të vret krimineli, të vret i droguari, të vret adoleshenti i përkëdhelur, të vret syshkelja e segmenteve të korruptuara të policisë, të vret mungesa e standardeve në rrugë, fakte këto që e kanë shndërruar jetën e qytetarit në vlerë relative ndërsa rastësinë e fatin në absolute!
Shqipëria është një vend i bllokuar në ekonomi ku mungojnë shanset e barabarta për biznesin, shanset ekzistojnë vetëm për klientët e qeverisë! Shqipëria është një vend i bllokuar në drejtësi e cila përdoret kundër lidershipit të opozitës, po bllokohet me fuqinë e kartonit kur ajo tenton të veprojë ndaj Qeverisë!”, tha ai.
Deputeti u ndal veçanërisht te aksi Milot–Balldren, për të cilin tha se është kthyer në simbol të vonesave dhe kostove të larta të projekteve publike.
Ai kritikoi shumën prej 374 milionë eurosh për ndërtimin e 17 kilometrave rrugë, duke e konsideruar atë “ekonomi korrupsioni”.
Gjekmarkaj kritikoi gjithashtu projektin për ndërtimin e një stadiumi të përkohshëm për një Kanye Ëest duke e cilësuar investimin prej 50 milionë eurosh si të pajustifikuar në kushtet kur, sipas tij, shumë zona të vendit vuajnë nga mungesa e investimeve bazë.














