GJKKO ka vendosur ndarjen e dosjes në ngarkim të Marklen Haka nga të pandehurit e tjerë, duke përcaktuar që ai të gjykohet me procedurë të zakonshme dhe jo me gjykim të shkurtuar.
Sipas vendimit të dhënë këtë të mërkurë, Haka, i njohur si një nga personazhet e fortë të zonës së Niklës, nuk do të përfitojë nga lehtësitë procedurale që ofron gjykimi i shkurtuar.
Ndërkohë, gjykata ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar për të pandehurit e tjerë: Aldo Avdyli, Edson Jozëik, Henerigert Mitri, Altin Morina, Jozi Kraja dhe Durim Bami.
SPAK pritet që më 20 maj të shpallë pretencën për këta gjashtë të pandehur që kanë pranuar gjykimin e shkurtuar.
Hetimet e zhvilluara, të bazuara edhe në zbardhjen e komunikimeve në platformën SKY ECC, kanë nxjerrë në pah aktivitetin e disa grupeve kriminale të përfshira në kultivim dhe trafik narkotikësh, sigurim kushtesh për kryerjen e veprave penale, si dhe në atentate të ndryshme, në disa raste në bashkëpunim me struktura policore.
Bëhet fjalë për një operacion të gjerë ku janë lëshuar rreth 50 urdhër-arreste nga SPAK, ndërsa çështjet janë ndarë në disa fraksione për shqyrtim gjyqësor.
Më herët, për një tjetër fraksion të kësaj dosjeje, prokuroria ka kërkuar gjithsej 127.6 vite burg për disa emra të njohur të botës së krimit, përfshirë Emiljano Shullazi, Gjergji Cukali, Astrit Avdyli, Xhelal Rraja dhe Viktor Imeraj.














