Presidenti francez Emmanuel Macron tha sot se qëndrimi i vazhdueshëm i Francës, që nga fillimi i konfliktit në Lindjen e Mesme , ka qenë ndërprerja e të gjitha armiqësive dhe rikthimi i konsultimeve diplomatike, brenda një kuadri respekti për të gjitha shtetet në rajon.
Presidenti francez tha sot nga Jerevani i Armenisë, ku ndodhet për një vizitë zyrtare, se do të bisedojë me presidentin e Iranit dhe se e vetmja perspektivë e mundshme është rihapja e Ngushticës së Hormuzit dhe rivendosja e lirisë së lundrimit.
“Çdo operacion ushtarak i njëanshëm është një gabim që nxit konfliktin ushtarak dhe çon në përshkallëzimin e tij“, tha gjithashtu presidenti francez.
Lidhur me marrëdhëniet tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kërcënimet e Presidentit Trump për një rritje të re të tarifave, presidenti francez tha se qëndrimi i përhershëm i Francës është stabiliteti i marrëdhënieve tregtare në bazë të rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë.
Sidoqoftë Bashkimi Evropian ka mekanizmat për të marrë kundërmasa në rast të vendosjes së tarifave të reja amerikane, tha presidenti francez, duke theksuar se në këtë periudhë të paqëndrueshmërisë gjeopolitike, aleatët si Evropa dhe Shtetet e Bashkuara kanë shumë më tepër për të bërë sesa lufta tregtare.














