Nikoll Radaçi, shoferi i alkoolizuar i cili shkaktoi aksidentin tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë është lënë në masën e sigurisë “arrest me burg”.
Ai u shfaq me kokën ulur teksa hynte në ambientet e gjykatës, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në lagjen nr. 15 të qytetit bregdetar.
Ngjarja ndodhi mesditën e 4 majit në lagjen nr. 15, ku tre të mitur po luanin në trotuar. Sipas hetimeve, 57-vjeçari, i cili dyshohet se ishte në gjendje të dehur, humbi kontrollin e automjetit dhe i përplasi ata, duke shkaktuar vdekjen e një 12-vjeçari dhe një 10-vjeçari, ndërsa një 8-vjeçar arriti të mbijetojë me dëmtime të rënda.
Rezulton se drejtuesi i mjetit kishte qenë i denoncuar më parë nga banorët e zonës dhe ishte ndëshkuar disa herë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Ngjarja ka shkaktuar reagime në opinionin publik dhe debat politik, teksa është kërkuar ashpërsim i masave në Kodin Rrugor për parandalimin e aksidenteve të ngjashme.














