Një shtetas shqiptar ka rënë në prangat e policisë belge pasi u kap duke transportuar një sasi të konsiderueshme bimësh kanabisi.
Sipas mediave vendase, i riu, i identifikuar si Eljani, rezulton të jetë poliglot, i arsimuar dhe i punësuar në sektorin e implanteve dentare, pa asnjë precedent të mëparshëm penal.
Megjithatë, ai u ndalua së fundmi nga policia e trafikut në rajonin e Namurit, ku gjatë kontrollit në automjetin e tij tip “Volvo” u ndje një erë e fortë kanabisi.
Pas ndalimit, i riu bashkëpunoi menjëherë me oficerët, duke treguar vendndodhjen e lëndës narkotike. Në automjet u zbuluan rreth 600 fidanë kanabisi, të cilat dyshohet se po transportoheshin në kuadër të një aktiviteti të paligjshëm.
Sipas dëshmisë së tij, punën ia kishte ofruar një tjetër shqiptar në një kafene në Bruksel, ndërsa ai pretendoi se do të paguhej 500 euro vetëm për transportin. Megjithatë, ai nuk dha detaje të mëtejshme mbi rrjetin, kontaktet apo destinacionin e lëndës.
Prokuroria belge dyshon se ai është i përfshirë në një organizatë kriminale, duke e konsideruar rastin si një kërcënim serioz për shëndetin publik, pavarësisht mungesës së dënimeve të mëparshme. Për këtë arsye është kërkuar një dënim me dy vite burg.
Nga ana tjetër, mbrojtja ka kërkuar një masë më të butë, duke argumentuar se bëhet fjalë për një rast të izoluar dhe se i riu ka potencial për të mos e përsëritur më një veprim të tillë.
Vendimi përfundimtar i gjykatës pritet të shpallet më 1 qershor.













