Një operacion antidrogë i zhvilluar nga autoritetet zvicerane në bashkëpunim me ato italiane ka çuar në arrestimin e një 24-vjeçari shqiptar në rajonin e Ticinos.
I riu u ndalua në zonën e Capolagos, ndërsa po udhëtonte me automjet në drejtim të veriut përgjatë autostradës A2. Sipas mediave zvicerane, ai ishte vënë nën vëzhgim nga forcat e rendit, të cilat kishin dyshime për aktivitet të paligjshëm.
Në momentin e ndalimit, kontrolli i automjetit u krye nga agjentët e Zyrës Federale të Doganave dhe Sigurisë Kufitare.
Gjatë kontrollit, në makinë u gjetën rreth 54 gramë kokainë, çka çoi menjëherë në arrestimin e 24-vjeçarit.
Ndaj tij rëndojnë akuzat për shkelje të rëndë të Ligjit Federal për Narkotikët, si dhe për shkelje të Ligjit Federal për Shtetasit e Huaj. Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse i arrestuari është pjesë e një rrjeti më të gjerë të trafikut të drogës.














