Kryetari i PD-së, Sali Berisha nga Zagrebi ku takoi mes të tjerëve edhe Presidentin e IDU, Stephen Harper u shpreh se Shqipëria ka bërë regres demokratik duke krijuar shqetësime të rënda.
Berisha ngriti para Presidentit Harper një sërë shqetësimesh serioze lidhur me gjendjen demokratike në Shqipëri, duke iu referuar vlerësimeve ndërkombëtare që e klasifikojnë vendin si ‘autokraci elektorale’.
Sipas tij Shqipëria ka 5 çështje të cilat janë kanë nevojë për adresim dhe zgjidhje.
-Mbrojtja politike e korrupsionit në nivele të larta, përfshirë rastin e Belinda Ballukut dhe refuzimin e shumicës socialiste për t’i hequr imunitetin, duke penguar kështu arrestimin e saj;
-Ndikimi i karteleve të drogës dhe i krimit të organizuar në proceset politike dhe ekonomike të vendit;
-Shndërrimi i ekonomisë shqiptare në një “narco-ekonomi”, me tentakulat në të gjithë sektorët, duke e kthyer Shqipërinë në një parajsë fiskale për pastrimin e të ardhurave nga trafiku i drogës dhe krimi i organizuar;
-Persekutimi sistematik i opozitës, me theks të veçantë në keqtrajtimin e papranueshëm të ish-Presidentit Ilir Meta.
-Emigrimi masiv dhe integrimi europian
Berisha nënvizoi emigrimin masiv si një nga plagët më të mëdha të vendit, ku mbi 1.1 milion qytetarë, kryesisht të rinj, janë larguar drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Ai theksoi se Shqipëria aktualisht përmbush kryesisht vetëm kriteret gjeostrategjike ndërsa procesi i integrimit duhet të bazohet në meritë dhe në përmbushjen reale të standardeve demokratike.
Sipas tij, ky proces mbetet i bllokuar për shkak të kapjes së shtetit nga qeverisja aktuale.














